Incident me sigurinë te CIA, agjentë e FBI qëllojnë agresorin me makinë

Incident me sigurinë te CIA, agjentë e FBI qëllojnë

Një person ka mbetur i plagosur pasi tentoi të hyjë me forcë në kampusin e CIA-s, Agjencisë Amerikane të Zbulimit. Incidentin e zgjidhën agjentët e FBI-së të cilët gjendeshin aty.

Një incident me sigurinë alarmoi për të paktën një orë Agjencinë Amerikane të Zbulimit, dhe përfundoi me një person të plagosur.

Ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 18 në selinë e CIA-s në shtetin e Virxhinias.

Autori i paidentifikuar po tentonte të hynte pa leje në ambientet e Agjencisë nga porta kryesore.

Personi i refuzoi urdhrat e agjentëve të FBI-së që ndodheshin në zonë dhe teksa po largohej me makinën, i dyshuari doli dhe nxori pistoletën duke thënë se kishte edhe eksploziv me vete.

Agjentët hapën zjarr duke e plagosur.

Mediet raportuan se personi kishte tentuar edhe në të kaluarën të hynte në kampusin e CIA-s dhe ishte i rënduar psikologjikisht.

Ndërsa në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, agjencia amerikane tha se perimetri i saj i sigurisë është nën kontroll.

Autoritetet i trajtojnë seriozisht edhe incidentet më të vogla nisur nga ngjarja e vitit 1993, kur një shtetas pakistanez vrau dy punonjës të CIA-s dhe plagosën tre të tjerë teksa po prisnin në semafor.

Autori u arratis për katër vite dhe u rikthye në Amerikë, ku edhe u ekzekutua në vitin 2002.

 

EMISIONET