Britania e Madhe ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

Britania e Madhe ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 16

Qeveria britanike njoftoi sot se fëmijët nën moshën 16 vjeç, do të ndalohen të përdorin rrjete sociale, ndërsa kryeministri i vendit, Keir Starmer e quajti masën, “një moment të rëndësishëm për vendin”.

Në një konferencë për shtyp, Starmer tha se masa e re, synon të mbrojë shëndetin mendor dhe mirëqenien e të rinjve, duke theksuar se rrjetet sociale po ndikojnë gjithnjë e më shumë, në lumturinë dhe zhvillimin e fëmijëve.

“Kjo lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe lumturinë e fëmijëve tanë. Nuk do të bëjmë asnjë kompromis për këtë”, tha sot kryeministri britanik.

Sipas qeverisë, platformat sociale pritet të kenë detyrimin të forcojnë verifikimin e moshës, për të parandaluar aksesin e të miturve.

Megjithatë, autoritetet pranojnë se zbatimi i plotë mund të jetë sfidues, pasi disa fëmijë mund të gjejnë mënyra për të anashkaluar kufizimet.

Ekspertët e teknologjisë dhe shëndetit mendor në Britaninë e Madhe, kanë mirëpritur pjesërisht vendimin, por kanë paralajmëruar se efektiviteti i tij, do të varet nga mënyra se si kompanitë e mëdha të rrjeteve sociale, do ta zbatojnë ligjin në praktikë.

Debati për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, është intensifikuar vitet e fundit në shumë vende evropiane, mes shqetësimeve për varësinë, bullizmin online dhe ekspozimin ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme. 

EMISIONET