Andy Burnham fiton bindshëm zgjedhjet e pjesshme në Makerfield, rriten spekulimet për një sfidë ndaj Starmer

Andy Burnham fiton bindshëm zgjedhjet e pjesshme në Makerfield, rriten

Laburisti Andy Burnham ka fituar bindshëm zgjedhjet e pjesshme parlamentare në Makerfield, duke forcuar pozitat e tij politike dhe duke hapur rrugën, për një sfidë të mundshme ndaj liderit të Partisë Laburiste dhe kryeministrit britanik, Keir Starmer, raportoi BBC.

Burnham siguroi afro 25,000 vota, duke lënë pas kandidatin e “Reform UK”, Robert Kenyon, me më shumë se 9,000 vota diferencë.

Ai mori rreth 55% të votave në një zonë që tradicionalisht, ka mbështetur Partinë Laburiste, por ku “Reform UK” kishte shënuar rezultate të forta, në zgjedhjet lokale vetëm pak javë më parë.

Në fjalimin e fitores, Burnham tha se sistemi politik britanik, nuk po funksionon për qytetarët dhe e cilësoi rezultatin, si një moment, që mund të shënojë një kthesë të rëndësishme.

“Çdokush e di se politika nuk po funksionon. Kjo natë mund të jetë pikënisja e ndryshimit”, deklaroi ai.

Ai u dërgoi gjithashtu një mesazh të qartë drejtuesve të Partisë Laburiste, duke paralajmëruar se kjo ishte “mundësia e fundit për të ndryshuar”, pasi sipas tij nuk do të ketë një shans të dytë.

Fitorja konsiderohet një sukses i madh për Burnham, i cili tashmë mund të tregojë, se është një figurë që arrin të fitojë jo vetëm kundër konservatorëve, por edhe përballë sfidës në rritje të “Reform UK”.

Megjithatë, një garë për drejtimin e Partisë Laburiste mbetet ende hipotetike. Deri tani nuk është paraqitur asnjë sfidë zyrtare ndaj Starmer, dhe çdo kandidat do të kishte nevojë për mbështetjen e të paktën 81 deputetëve laburistë  për të hyrë në garë.

Vetë Burnham ka deklaruar më herët se do të kandidonte nëse do të hapej një garë për lidershipin e partisë. Edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting, ka lënë të kuptohet se mund të marrë pjesë në një proces të tillë.

Sipas raportimeve, Burnham ka zhvilluar konsultime me këshilltarë të nivelit të lartë, veçanërisht në fushën ekonomike, në ditët para zgjedhjeve.

Mes tyre janë Lord Jim O’Neill, ish-ministër i Thesarit dhe ekonomist i njohur, si dhe Richard Hughes, ish-kryetar i Zyrës për Përgjegjësinë Buxhetore (OBR).

Këto kontakte shihen si një sinjal se Burnham po përgatit ide dhe politika me profil kombëtar, duke kërkuar njëkohësisht të projektojë stabilitet ekonomik, në rast se një ditë do të synonte postin e kryeministrit.

Pas fitores në Makerfield, Burnham nuk është më kryetar bashkie i Mançesterit të Madh dhe zgjedhjet për pasardhësin e tij pritet të mbahen më 30 korrik.

Ndërkohë, konservatorët fituan bindshëm zgjedhjet e pjesshme në Aberdeen South, ndërsa SNP arriti të mbajë kontrollin në Arbroath and Broughty Ferry.

Vëmendja tashmë është përqendruar te reagimi i Keir Starmer dhe te mënyra se si Partia Laburiste do t’i përgjigjet këtij rezultati, ndërsa pritet që ditët dhe javët në vijim të sjellin zhvillime të rëndësishme në politikën britanike. 

EMISIONET