Kompania daneze heq shefat dhe CEO-n, 500 punonjës drejtojnë biznesin pa hierarki!

Në një kompani daneze që menaxhon rrjetin më të madh të karikuesve për makinat elektrike në vend, drejtori ekzekutiv e bëri veten të panevojshëm. Sot, më shumë se 500 punonjës ndajnë përgjegjësinë për drejtimin e biznesit.
Clever, operatori kryesor i stacioneve të karikimit për automjetet elektrike në Danimarkë, hoqi dorë tërësisht nga shkalla tradicionale e menaxhimit. Nuk ka shefa, nuk ka menaxherë të mesëm dhe që prej vitit 2025, nuk ka as tituj pune që mbajnë këtë fjalë.
Kompania funksionon përmes ekipeve të vetëmenaxhuara, ku çdo punonjës merr pjesë në vendimmarrje dhe mban përgjegjësi për zbatimin e saj.
Arkitekti i këtij eksperimenti është bashkëthemeluesi Casper Kirketerp-Møller, i cili e nisi biznesin më shumë se një dekadë më parë me një staf të vogël.
Danimarka dhe fqinjët nordikë njihen për kulturën e tyre të barazisë në vendin e punës e struktura më të sheshta, por Kirketerp-Møller donte ta çonte këtë ide edhe më tej.
Ne mund ta bënim më mirë se mënyra tradicionale, u shpreh për AFP-në, duke përshkruar interesin e tij për mënyrën si njerëzit bashkëpunojnë dhe për kulturën që i duhet vërtet një kompanie.
Që nga 2019-ta, Kirketerp-Møller nisi të hiqte gradualisht shtresat e menaxhimit, deri sa eliminoi edhe rolin e tij si CEO. Qëllimi kryesor ishte të nxirrej në pah potenciali i plotë i secilit punonjës, diçka që e sheh gjithnjë e më të rëndësishme në një botë të automatizuar.
Në epokën e re, ku Inteligjenca Artificiale do të bëjë gjithçka që lidhet me efikasitetin, aftësitë njerëzore dhe biznesi njerëzor do të jenë thelbësore që kompanitë të lulëzojnë e të inovojnë në të ardhmen.
Kishte edhe një arsye praktike. Sipas Kirketerp-Møller/it, organizatat me shumë shtresa menaxhimi e kanë të vështirë të veprojnë shpejt, sepse çdo vendim duhet të kalojë nëpër një zinxhir miratimesh.
Helge Hvid, profesor në Universitetin Roskilde, i cili studion kompanitë e vetëmenaxhuara, pajtohet se burokracia mund ta paralizojë vendimmarrjen kur shumë menaxherë duhet të japin miratimin. Sipas tij, modelet e sheshta janë veçanërisht tërheqëse për punonjësit më të rinj.
Njerëzit duan të kenë zë në punën e tyre, duan që puna të ketë kuptim. Ata duan autonomi, u shpreh Hvid për AFP-në.
Liri me rregulla
Heqja e shefave nuk do të thotë braktisje e strukturës. Rreth 500 punonjësit e Clever-it punojnë në më shumë se 50 ekipe me nga 8-12 persona, secili i organizuar rreth objektivave të caktuara, me role të përcaktuara qartë për detyra si rekrutimi dhe burimet njerëzore.
Kirketerp-Møller paralajmëron se çlirimi i gjithë strukturës, menjëherë do ta çonte kompaninë drejt kaosit. Ky tension është i njohur edhe për teoricienët e organizimit.
Anne-Sophie Dubey, nga Conservatoire National des Arts et Métiers në Francë, vëren se edhe pse sheshimi i strukturës së një kompanie synon të luftojë burokracinë, një nivel rregullash të shkruara mbetet i dobishëm, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë si funksionon sistemi.
Për punonjësit, përfitimi është i prekshëm.
Lykke Jeppesen, e cila prej më shumë se katër vitesh ndihmon kolegët të arrijnë vendime të përbashkëta, vlerëson mungesën e rivalitetit.
Unë punoj në një ekip ku jemi të barabartë. Jemi këtu për të pasur sukses së bashku, ndaj nuk ka konkurrencë të brendshme mes nesh, tha 37-vjeçarja për AFP-në.
Sipas saj, ky model përmbush nevojat bazë njerëzore për autonomi, liri e ndjenjë përkatësie. Një auditim i brendshëm në vitin 2024 zbuloi se 92% e punonjësve të Clever-it ishin të kënaqur që shkonin në punë çdo mëngjes.
Në fillim të këtij muaji, Kirketerp-Møller u largua përfundimisht nga kompania, por distributori danez i energjisë Andel, që e zotëron Clever-i që prej vitit 2018, është zotuar ta lërë të paprekur strukturën e pazakontë. Kjo sugjeron se eksperimenti pa shefa mund t’u mbijetojë edhe njerëzve që e nisën./Monitor


