Skandali i “turshive toksike”. AKU fsheh subjektin prodhues në Elbasan. Kush po mbrohet?

5.2 ton turshi me  metale te rënda dhe  me mbetje të pesticideve të ndaluara jane bllokuar nga AKU, pas analizave  që ky institucion i bëri  këtyre produkteve në një laborator te akredituar Itali.

Por alarmi nuk qëndron vetëm te prania e substancave të rrezikshme. Më shqetësues është fakti se AKU nuk ka bërë asnjë njoftim publik për konsumatorët, as në faqen zyrtare dhe as në rrjetet sociale, duke i lënë qytetarët në errësirë për një rrezik të mundshëm që mund të ketë mbërritur në tryezat e tyre.

Ligji për sigurinë ushqimore detyron njoftimin e menjëhershëm të publikut për çdo rrezik, por institucioni ka zgjedhur të mbrojë imazhin e kompanive përpara shëndetit publik.

Pas kërkesave të përsërituar nga Tv “Ora News”  AKU ka  bërë pjesërisht publike specifikimet e  etiketimit të produkteve që rezultuan me probleme.

Katër llojet e turshive që pas analizave të kryera në Itali rezultuan  jokonform janë:

•       Kornison Turşusu, Gurken Würzig Eingelegt (kastravec turshi) 700g – Me origjinë nga Turqia (Mostra nr.12-Prot.1039).

•       Kornison Turşusu, Gurken Würzig Eingelegt (kastravec turshi) 700g – Me origjinë nga Turqia (Mostra nr.13-Prot.1039).

•       Sallatë mikse (marinadë) "Pema" 680g – Me origjinë nga Maqedonia e Veriut (Mostra nr.09-Prot.1036).

Perime turshi – Me origjinë nga Elbasani (Mostra nr.220 Prot.-n°123)

Ajo që të bie në sy  në përgjigjen e dhëne nga ky institucion ështe fakti se për produktet e importit janë bërë publik emrat tregtarë , ndërsa për produktin "Perime turshi" me origjinë Elbasan nuk është bërë publik as emri tregtar, as marka, as sasia e produktit .

Nga përgjigjia e AKU  vihet re një trajtim i ndryshëm i rasteve të ngjashme. Ndërsa për produktet e importit janë specifikuar emrat tregtarë , për produktin "Perime turshi" me origjinë Elbasan nuk është bërë publik asnjë e dhënë.

Duke mos dhënë asnjë informacion për produktin vendas, AKU dëshmon se për të, bilanci financiar i një biznesi vlen më shumë se shëndeti dhe siguria e konsumatorëve.

Refuzimi i institucionit për të na vënë në dispozicion etiketën e këtij produkti dhe emrin tregëtar ua bën të pamundur qytetarëve që ta identifikojnë, nëse e kanë aktualisht në shtëpitë e tyre.

Ndërsa AKU bëhet “mburoje” e subjekteve private konsumatorët shqiptarë vazhdojnë të mbeten të pambrojtur dhe të painformuar përballë rreziqeve që u kanosen në tryezat e tyre çdo ditë.

EMISIONET