11 V*KTIMA NGA ZJARRI/ Flakët përfshijnë Andaluzinë, evakuohen rreth 1.000 banorë
Një zjarr i madh në jug të Spanjës ka shkaktuar të paktën 11 viktima dhe gjashtë të plagosur. Autoritetet evakuuan rreth 1.000 banorë, ndërsa temperaturat e larta vijojnë të favorizojnë përhapjen e zjarreve në Europën Jugore.

Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri të madh që përfshiu rajonin e Andaluzisë, në jug të Spanjës. Autoritetet rajonale bënë të ditur se flakët përfshinë zonën pranë Los Gallardos, në provincën Almeria, duke detyruar evakuimin e rreth 1.000 banorëve.
Trupat e viktimave u gjetën në fshatin Bédar, ku disa prej tyre ndodheshin brenda automjeteve, ndërsa të tjerë humbën jetën duke u përpjekur të largoheshin nga flakët që u përhapën me shpejtësi gjatë natës. Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende shkakun e zjarrit, megjithëse dëshmitarët kanë deklaruar se ai mund të jetë shkaktuar nga rënia e një linje elektrike.
Rreth 150 zjarrfikës, të mbështetur edhe nga Njësia Ushtarake e Emergjencave të Spanjës, janë angazhuar për vënien nën kontroll të flakëve. Gjashtë persona mbetën të plagosur, mes tyre një me djegie dhe një tjetër nga thithja e tymit, ndërsa katër të tjerë morën ndihmë mjekësore në vendngjarje për probleme të lehta respiratore dhe djegie.
Zjarri ka shkaktuar gjithashtu mbylljen e disa akseve rrugore dhe dëme të konsiderueshme në zonat pyjore. Kryeministri Pedro Sánchez kishte njoftuar më herët se këtë verë Spanja do të aktivizonte planin më të madh të reagimit ndaj zjarreve, për shkak të rrezikut të lartë nga temperaturat ekstreme.
Vala e të nxehtit që ka përfshirë Europën Jugore, me temperatura që arrijnë deri në 40 gradë Celsius, ka favorizuar përhapjen e zjarreve në Spanjë, Francë dhe Portugali. Sipas shkencëtarëve, ndryshimet klimatike po rrisin shpeshtësinë dhe intensitetin e valëve të të nxehtit dhe zjarreve, duke e bërë Mesdheun një nga rajonet më të prekura në Europë.

