KTHESË NË HETIMET E VR*SJES/ V*ktima organizoi at*ntatin në Monako ndaj biznesmenit Vadym Yermolayev

Një oficer i inteligjencës ushtarake ukrainase ka mohuar në gjykatë se vrau Anastasiia Berezovskën, të dyshuar për atentatin ndaj biznesmenit Vadym Yermolayev në Monako. Prokuroria akuzon të dy të arrestuarit për vrasje me paramendim, ndërsa hetimet për motivin e krimit vazhdojnë.

KTHESË NË HETIMET E VR*SJES/ V*ktima organizoi at*ntatin në

Zbardhja e vrasjes së Anastasiia Berezovskës, gruas së dyshuar për organizimin e atentatit ndaj biznesmenit Vadym Yermolayev në Monako, ka marrë një kthesë të re. Njëri nga dy të arrestuarit në Ukrainë, oficeri i inteligjencës ushtarake Vladyslav Reut, tërhoqi rrëfimin e tij fillestar dhe deklaroi në gjykatë se nuk ishte ai autori i vrasjes.

Gjatë seancës për masën e sigurisë në Kiev, Reut mohoi kategorikisht se kishte qëlluar Berezovskën dhe ia atribuoi krimin të akuzuarit tjetër, Vitalii Zhykovych, ish-punonjës i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës .

Sipas versionit të tij të ri, Zhykovych e kishte detyruar ta ndihmonte, duke e kërcënuar se familja e tij do të ishte në rrezik nëse nuk bashkëpunonte.

Prokuroria bëri të ditur se Berezovska kishte hyrë në Ukrainë dy ditë pas shpërthimit në Monako, përpara se të identifikohej si e dyshuara kryesore për atentatin ndaj biznesmenit Vadym Yermolayev. Hetuesit arritën te dy të dyshuarit përmes analizës së komunikimeve telefonike dhe transfertave të parave, përfshirë pagesa në para dhe kriptomonedha drejt llogarive të saj.

Fillimisht, Reut kishte pranuar autorësinë e vrasjes dhe kishte udhëhequr hetuesit drejt vendit ku ishte varrosur trupi i gruas në një zonë pyjore pranë Kievit. Megjithatë, në gjykatë ai ndryshoi dëshminë, duke pretenduar se Zhykovych ishte ai që e kishte qëlluar katër herë dhe më pas të dy kishin fshehur trupin.

Avokati i Zhykovych hodhi poshtë këto pretendime, ndërsa prokuroria këmbëngul se të dy kanë vepruar në bashkëpunim dhe janë akuzuar për vrasje me paramendim. Autoritetet ukrainase po hetojnë disa pista mbi motivin e krimit, përfshirë lidhje të mundshme me krimin e organizuar, korrupsionin apo ndikimin rus. Të dy të dyshuarve u është refuzuar lirimi me kusht dhe do të qëndrojnë në paraburgim deri në vijimin e hetimeve.

EMISIONET