DËSHTIM NË PE, DEBAT NË KOMISION/ Opozita akuza mazhorancës për dështimin ne miratimin e rezolutës

Përplasja mes mazhorancës dhe opozitës për dështimin e miratimit të një rezolute në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit në Strasburg u zhvendos në Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit.
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, akuzoi socialistët se rrëzuan amendamentet e propozuara nga opozita, duke penguar arritjen e një qëndrimi të përbashkët.
Vokshi ngriti më tej akuza se procesi i integrimit evropian po përdoret për të miratuar ligje me porosi dhe për interesa të mazhorancës.
Pretendimet e saj u kundërshtuan nga deputeti socialist Erion Malaj, pjesë e delegacionit shqiptar në Strasburg, i cili mbrojti qëndrimin e mazhorancës dhe mënyrën se si u zhvilluan diskutimet.
Edhe deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, anëtar i delegacionit, paraqiti versionin e opozitës për atë që ndodhi gjatë mbledhjes në Strasburg.
Debate pati edhe për aktin normativ të qeverisë që parashikon financimin me rreth 4.2 milionë euro të koncertit të Kanye West në Tiranë. Deputetët e opozitës kërkuan që akti të rrëzohet me votë në seancën plenare të Kuvendit.

