Gjermani, ashpërsohen rregullat për skuterët elektrikë pas rritjes së aksidenteve

Parlamenti gjerman (Bundestagu) ka miratuar një ligj të ri që forcon përgjegjësinë ligjore të kompanive që japin me qira skuterë elektrikë, me synimin që viktimat e aksidenteve të kenë më të lehtë të marrin dëmshpërblim.
Ministrja gjermane e Drejtësisë, Stefanie Hubig, deklaroi se kompanitë që përfitojnë nga dhënia me qira e skuterëve elektrikë duhet të mbajnë përgjegjësi edhe për dëmet që shkaktojnë mjetet e tyre. Sipas ligjit të ri, kompania që ka në pronësi “flotën” e skuterëve do të mbulojë kostot e aksidentit në rastet kur personi përgjegjës nuk mund të identifikohet ose nuk mund të mbahet ligjërisht përgjegjës.
Ndryshimet prekin edhe rastet kur aksidentet shkaktohen nga skuterët e parkuar. Viktimat nuk do të jenë më të detyruara të provojnë se një përdorues e ka lënë mjetin në mënyrë të gabuar për të kërkuar dëmshpërblim.
Ligji u miratua në një kohë kur numri i aksidenteve me skuterë elektrikë në Gjermani është rritur ndjeshëm.
Sipas të dhënave zyrtare, aksidentet me këto mjete janë pothuajse dyfishuar, nga rreth 5 900 raste në vitin 2020 në afro 12 500 raste gjatë vitit 2024.
Deri tani, shumë viktima mbeteshin pa kompensim, pasi skuterët elektrikë nuk i nënshtroheshin rregullave të rrepta të përgjegjësisë që zbatohen për automjetet motorike.
Rregullat e reja vlejnë vetëm për mjetet vetëbalancuese, si skuterët elektrikë, ndërsa nuk përfshijnë kositëset e barit me motor dhe skuterët që përdoren nga personat me vështirësi në ecje.

