"Rilindja urbane ishte dalja nga rrënimi"/ Rama: Shkollat dhe qytetet po hyjnë në një fazë të re zhvillimi

“Suksesi, rezultati, ndryshimi nuk ul pritshmëritë, por i rrit. Ka dhe më mirë në shoqëritë e varfra. Ka dhe më keq në shoqëritë e zhvilluara. Ka dhe më mirë. Sigurisht që ka dhe më mirë. Kjo është shenja më e sigurt që ne sot jemi zyrtarisht në një fazë të re. Më kujtohet që pas zgjedhjeve të fundit, unë, në një mbledhje të mbyllur këmbëngula që 83 mandatet janë një bekim po aq sa janë edhe mallkim. Më thonin: çfarë është ky mallkim? Ne jemi në rregull. Jo, sepse jemi në një fazë të re. Programi është një nga instrumentet që e adreson këtë fazë të re, duke u nisur nga prezumimi që rilindja urbane që ne njohim e ka kryer funksionin e saj. Tani duhet kaluar përtej.

Para se të kaloj në disa nga pikat që kam shënuar, po i kthehem asaj që tha ministrja në lidhje me popullsinë. Të gjitha ato janë shifra reale, por prapë do të ishte gabim i madh të mendohet që ata që i refuzojnë ato shifra si një arsye për t’u ndjerë mirë, por përkundrazi i marrin ato shifra dhe thonë: ‘Çfarë punësimi? Këtu punojnë skllevër. Këtu të japin 200 euro’. Këtu është mbase gabim si i formulon gjërat, por pritshmëria është shumë e lartë. Rilindja urbane ishte dalja nga rrënimi dhe degradimi që ishte kudo. Dhe nëse e përmendi kryetarja e bashkisë çështjen e shesheve kryesore… Nëse sheshi kryesor është fytyra e një qyteti, sheshet kryesore të qyteteve tona ishin degradimi i çdo qyteti.

Dalja nga degradimi, rikthimi i qytetit si vendi ku njerëzit kanë një jetë të mundshme sociale dhe të gjithë pastaj çfarë e përmbledh rilindjen urbane me sheshet, rrugët, ndriçimin, shkollat, çerdhet, ujësjellës-kanalizimet, i përkisnin një faze kur Shqipëria, njerëzit, filluan të besojnë te vetja. Filluan të besojnë se Shqipëria mund të ishte e bukur jo thjesht nëpër male dhe 100 metra nga bregu ku notoje, por mund t’i prezantohej bukur kujtdo që jetonte dhe që i hapte derën për vizitorë. Tani nuk jemi më në fazën që na mungojnë këto. Ne na kujtohet kur mbillnim pemë në Tiranë ishte sikur jepnim shfaqje. Njerëzit ndalonin dhe shihnin pemët”, u shpreh Rama.

EMISIONET