IZRAELI: IRANI, PLAN PËR TË VR*RË TRUMP/ CNN: Shërbimet izraelite sinjalizojnë plan atentati nga Irani

Irani po planifikonte të vriste presidentin amerikan Donald Trump, sipas një informacioni që shërbimet sekrete izraelite i kanë përcjellë SHBA-së. Uashingtoni nuk e ka konfirmuar ende raportin, ndërsa tensionet me Teheranin mbeten të larta.

IZRAELI: IRANI, PLAN PËR TË VR*RË TRUMP/ CNN: Shërbimet

Irani po planifikonte të vriste presidentin amerikan Donald Trump. Të paktën ky është informacioni që shërbimet sekrete izraelite i kanë përcjellë Shteteve të Bashkuara, sipas CNN, duke cituar burime të njohura me çështjen.

Megjithatë, autoritetet amerikane nuk e kanë konfirmuar në mënyrë të pavarur këtë informacion dhe po e verifikojnë atë.

Sipas burimeve, paralajmërimi i Izraelit është dhënë gjatë kësaj jave dhe lidhet me një plan konkret për atentat ndaj presidentit amerikan.

Zyrtarë të administratës amerikane kanë bërë të ditur se inteligjenca amerikane nuk e kishte identifikuar më parë këtë komplot dhe se raporti izraelit po analizohet.

Disa prej tyre vlerësojnë se informacioni mund të jetë pjesë e përpjekjeve të Izraelit për të ndikuar në vendimmarrjen e Trump, ndërsa ai shqyrton mundësinë e shtimit të presionit ushtarak ndaj Iranit.

Kërcënimet ndaj Trump nuk janë të reja. Uashingtoni ka paralajmëruar prej vitesh se Teherani mund të kërkojë hakmarrje për eliminimin e gjeneralit iranian Qasem Soleimani në vitin 2020, operacion i urdhëruar nga vetë Trump gjatë mandatit të tij të parë.

Duke komentuar raportimet, presidenti amerikan deklaroi se beson se ndodhet në krye të listës së objektivave të Iranit. Ai e cilësoi udhëheqjen iraniane si "të rrezikshme" dhe përsëriti se nuk dëshiron të negociojë më me Teheranin, ndërsa theksoi se Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore.

Zhvillimi vjen në një moment kur marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish pas shkëmbimit të sulmeve dhe deklaratave të forta nga të dyja palët. Megjithatë, zyrtarë amerikanë bëjnë të ditur se kontaktet diplomatike vijojnë dhe se synimi mbetet arritja e një marrëveshjeje për programin bërthamor iranian deri në mesin e muajit gusht.

EMISIONET