KINA UL RAKETËN E RIPËRDORSHME/ Long March 10B rikthehet me sukses në një platformë lundruese

Kina ka realizuar për herë të parë uljen me sukses të një rakete të ripërdorshme, duke shënuar një arritje të rëndësishme në programin e saj hapësinor. Suksesi i raketës Long March 10B forcon ambiciet e Pekinit për të konkurruar me kompanitë amerikane në teknologjinë e lëshimeve orbitale.

KINA UL RAKETËN E RIPËRDORSHME/ Long March 10B rikthehet me sukses

Kina ka realizuar me sukses uljen e parë të një rakete të ripërdorshme, një arritje që konsiderohet një hap i rëndësishëm për programin e saj hapësinor dhe për ambiciet për të konkurruar me Shtetet e Bashkuara në teknologjinë e lëshimeve orbitale.

Sipas Korporatës Kineze të Shkencës dhe Teknologjisë Hapësinore, raketa Long March 10B u lëshua nga provinca Hainan në jug të vendit. Rreth gjashtë minuta pas ndarjes nga pjesa e sipërme e raketës, përforcuesi u kthye në Tokë me ulje vertikale dhe u rikuperua në një platformë lundruese në det.

Raketat tradicionale zakonisht shkatërrohen pas përdorimit, çka e bën çdo lëshim shumë të kushtueshëm. Ripërdorimi i përforcuesve, që përbëjnë pjesën më të shtrenjtë të raketës, ul ndjeshëm kostot e dërgimit të satelitëve dhe misioneve hapësinore.

Teknologjia e raketave të ripërdorshme është dominuar deri tani nga kompanitë amerikane. SpaceX realizoi uljen e parë të suksesshme të raketës Falcon 9 në vitin 2015, ndërsa Blue Origin kreu një arritje të ngjashme me raketën New Glenn në fund të vitit 2025. Falcon 9 përdoret tashmë në rreth 150 misione në vit, me përforcues që mund të ripërdoren dhjetëra herë.

Kina kishte provuar për herë të parë rikuperimin e një rakete në shkurt të këtij viti me modelin Long March 10A, i cili realizoi një ulje të kontrolluar në det. Modeli i ri Long March 10B, i aftë të transportojë mbi 16 tonë ngarkesë në orbitën e ulët të Tokës, konsiderohet konkurrent i drejtpërdrejtë i Falcon 9, megjithëse përdor një sistem të ndryshëm rikuperimi përmes një platforme lundruese me rrjetë.

Pas njoftimit, aksionet e disa kompanive kineze të sektorit hapësinor u rritën me 10%, niveli maksimal i lejuar në bursat kineze.

EMISIONET