PËRHAPET MASIVISHT PARAZITI I RREZIKSHËM/ Mijëra raste të ciklosporiazës raportohen në 17 shtete të SHBA
Një shpërthim i infeksionit të shkaktuar nga paraziti Cyclospora është përhapur në disa shtete të SHBA-së, duke shkaktuar mijëra raste në javët e fundit. Autoritetet shëndetësore nuk kanë identifikuar ende burimin e kontaminimit, por dyshojnë për produkte ushqimore të freskëta.

Një shpërthim i infeksionit ciklosporiazë, i shkaktuar nga paraziti mikroskopik Cyclospora, është përhapur në disa shtete të SHBA-së, duke shkaktuar mijëra raste të reja në javët e fundit.
Autoritetet shëndetësore po hetojnë burimin e infeksionit, ndërsa deri tani nuk është identifikuar produkti ushqimor që ka shkaktuar përhapjen.
Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rastet janë raportuar në të paktën 17 shtete, përfshirë Illinois, Nju Jorkun, Teksasin dhe Ohajon. Situata më shqetësuese paraqitet në Miçigan, ku autoritetet lokale raportuan afro 1.000 raste vetëm gjatë një periudhe dyjavore.
Deri më tani nuk është raportuar asnjë viktimë, ndërsa të paktën 20 persona janë shtruar në spital.
Ciklosporiaza është një infeksion i zorrëve që transmetohet përmes konsumimit të ushqimit ose ujit të kontaminuar me parazitin.
Simptoma kryesore është diarreja e shpeshtë dhe e rëndë, e shoqëruar shpesh me dhimbje barku, lodhje dhe humbje të oreksit. Nëse nuk trajtohet, sëmundja mund të zgjasë nga disa ditë deri në më shumë se një muaj, ndërsa simptomat mund të rikthehen edhe pasi duket se janë qetësuar.
Ekspertët theksojnë se infeksioni nuk transmetohet nga një person te tjetri. Sipas epidemiologëve, kontaminimi ndodh zakonisht në fermë ose gjatë ujitjes së kulturave bujqësore, gjë që e bën të vështirë identifikimin e burimit të shpërthimit.
Në shpërthimet e mëparshme në SHBA dhe Kanada, infeksioni është lidhur me produkte të freskëta si sallatat e paketuara, majdanozi i freskët, borziloku, mjedrat, bizelet dhe qepët e njoma. Autoritetet u rekomandojnë qytetarëve të lajnë mirë frutat dhe perimet, të gatuajnë produktet kur është e mundur dhe të kontaktojnë mjekun në rast të diarresë së vazhdueshme.

