28 V*KTIMA NGA ZJARRI NË KINË / Flakët përfshijnë një fabrikë këpucësh në juglindje të Kinës
Një zjarr në një fabrikë këpucësh në qytetin Jinjiang të Kinës ka shkaktuar të paktën 28 viktima. Autoritetet kanë nisur hetimet për shkaqet e ngjarjes, ndërsa presidenti Xi Jinping kërkoi masa të rrepta për sigurinë industriale.

Të paktën 28 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të madh që përfshiu një fabrikë këpucësh në qytetin Jinjiang, në provincën Fujian, në juglindje të Kinës.
Autoritetet kineze kanë nisur hetimet për shkaqet e ngjarjes, ndërsa presidenti Xi Jinping kërkoi që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi të plotë.
Sipas mediave shtetërore, zjarri shpërtheu rreth mesditës në fabrikën Huiteng Footwear, në një kohë kur në ndërtesë ndodheshin afro 240 punonjës. Ekipet e shpëtimit arritën të evakuonin 213 persona, por dy prej tyre ndërruan jetë në spital. Ndërkohë, 26 punonjës që rezultonin të zhdukur u gjetën pa jetë pas shuarjes së flakëve.
Pamjet e publikuara nga agjencia shtetërore Xinhua tregojnë re të dendura tymi të zi që dilnin nga godina, ndërsa disa persona kishin mbetur të bllokuar në çati duke pritur ndihmë. Mbi 500 efektivë të zjarrfikëses dhe shërbimeve të emergjencës u angazhuan për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e punonjësve.
Hetimet paraprake tregojnë se zjarri mund të ketë nisur në katin përdhes të fabrikës, ku ruheshin materiale të ndezshme. Autoritetet kanë ndaluar disa persona të lidhur me drejtimin e kompanisë dhe kanë bllokuar llogaritë bankare të saj deri në përfundim të hetimeve.
Presidenti Xi Jinping e cilësoi ngjarjen si një tragjedi me pasoja të rënda dhe kërkoi nxjerrjen e mësimeve nga aksidentet industriale të ndodhura gjatë këtij viti. Ai u bëri thirrje autoriteteve të zbatojnë masa më të rrepta për sigurinë në vendin e punës.
Qyteti Jinjiang njihet si "kryeqyteti i këpucëve" në Kinë, pasi prodhon rreth 20 për qind të këpucëve sportive në nivel botëror.

