Atentati i mbrëmjes së sotme në qytetin grek të Patras, ku objektiv ishte një 27-vjeçar shqiptar, po hetohet nga policia greke.

Ngjarja ndodhi rreth 18:00 me orën lokale greke dhe sipas portal grek “Tempo24”,duke iu referuar dëshmitarëve okularë, 2 automjetet kishin filluar të ecnin me shpejtësi dhe dukej sikur ishin në ndjekje të njëra-tjetrës.

Më pas personat zbritën nga të 2 automjetet ku dhe nisi përplasja me armë dhe me thika.

Si rezultat i të shtënave, 27-vjeçari shqiptar, i cili ishte përleshur me pjesën tjetër ra mbi asfalt dhe u mbulua me gjak.

Qytetarët që panë skenën u tmerruan dhe filluan të vraponin e të fshiheshin, ndërsa ata që ishin në dyqane apo banesa mbyllën dyert dhe dritaret.

Shqiptari i plagosur është transportuar në gjendje të rëndë në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Patras, ku raportohet se është në vdekje klinike.

Sipas medias greke, grupi rival i shqiptarit, që merrej me menaxhimin e klubeve të natës, u shfaq edhe në spitalin ku po qëndron ai.

Sipas dyshimeve paraprake të policisë, edhe autorët dyshohet se janë shqiptarë, ndërsa ende nuk ka një pistë zyrtare hetimi.