Vrau kolegun brenda në komisariat, prokuroria jep pretencën për policin Ludjan Zaimi
Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën për ish-policin Ludjan Zaimi, i cili vrau brenda ambienteve të Komisariatit nr. 3 në kryeqytet kolegun e tij Çaush Saliasi.
Në pretencën e saj organi i Akuzës kërkon 35 vite burg për efektivin 25- vjeçar që nuk duroi dot shakatë e talljet e kolegut të tij Çaush Saliasi dhe e vrau në derën e komisariatit.
Avokati i Ludjan Zaimit, do të zbardhte dëshimnë e të akuzuarit brenda sallës së gjyqit në seancën ku u dha ndaj tij masa e arrestit me burg, seancë kjo që u mbajt më 26 maj të vitit të kaluar.
Në një prononcim për mediat, avokati ka thënë se Zaimi ka pranuar krimin që ka kryer por nuk ka dhënë asnjë shkak për ngjarjen.
Sipas avokatit, 25-vjeçari ka thënë se merrte qetësues e medikamente, por as vetë nuk e dinte se për çfarë i përdorte.
Për viktimën, Zaimi ka thënë se fillimisht ka pasur marrëdhënie shoqërore me të, por më pas janë konfliktuar.
Ludjan Zaimi është dërguar për një ekspertizë mjeko-ligjore. Ekspertiza mjekoligjore është parë e nevojshme pasi në banesën e Zaimit janë gjetur edhe medikamente që përdoreshin për kurim prej tij, për shkak të probleme psikike që kishte shfaqur.
Ai kurohej me antidepresantë “seroquel”, medikament që përdoret për të kuruar çrregullime dhe probleme të tjera të rënda të shëntit mendor, si skizofrenia e çrregullime bipolare.
Gjithsesi, në atë kohë do të raportohej se Zaimi e kishte planifikuar vrasjen e kolegut që shërbente për më shumë se 20 vjet në radhët e Policisë së Shtetit.
Prej kohësh ai ankohej për daljen në shërbim me të, tregonte se Saliasi e bullizonte, e shante, e quante ‘qorr’ dhe nuk ia kursente as personat e familjes.
Por, të gjitha këto ankesa, kishin rënë në vesh të shurdhër. Situata kishte vijuar e tillë deri më 23 maj 2022, ditë kur po bëhej instruktazhi.
Pamjet e rënda që u publikuan në media treguan se si Saliasi la sallën e u ul në shkallën pranë derës së komisariatit.
Fill pas tij, doli 25-vjeçari Zaimi. Pas pak sekondash, i riu nxjerr armën dhe nis të qëllojë pa ndalim në drejtim të 55-vjeçarit.
Pavarësisht se ky i fundit tentoi të mbrohej, nuk ia doli dot. Mori plumbat në pjesë të ndryshme të trupit në sy të të paktën nëntë kolegëve që i vetmi veprim që bënë ishte të ngrinin duart lart.