Enrik Mehmeti humbi jetën në aksident me motor/ Berisha shpreh ngushëllimet: Një humbje për gazetarinë dhe Vlorën
Gazetari Enrik Mehmeti është ndarë nga jeta në moshën 40-vjeçare.
Lajmi i hidhur ka sjellë reagime nga kolegë, miq dhe figura publike, të cilët kanë shprehur dhimbjen për humbjen e parakohshme të gazetarit vlonjat.
Sali Berisha ka ndarë një mesazh ngushëllimi për familjen Mehmeti, duke e cilësuar ndarjen nga jeta të gazetarit një humbje për familjen, qytetin e Vlorës dhe median shqiptare.
Në mesazhin e tij, Berisha kujton Enrik Mehmetin si një gazetar të talentuar dhe të përkushtuar ndaj interesit publik, i cili gjatë karrierës së tij u bë një zë i njohur për qytetarët e Vlorës.
“Enrik Mehmeti do të mbahet mend gjithmonë si bir, bashkëshort, prind dhe qytetar shembullor, si një gazetar i talentuar dhe i guximshëm”, shkruan Berisha në reagimin e tij.
Gazetari Enrik Mehmeti ishte i njohur për angazhimin e tij në media dhe për trajtimin e problematikave që preknin komunitetin lokal. Ndarja e tij nga jeta ka lënë pas dhimbje te familjarët, miqtë dhe kolegët e tij.


