Nuk mjafton vetëm uji, këto janë disa nga mënyrat që ndihmojnë trupin të përballojë të nxehtin

Temperaturat e larta mund të kthehen në një sfidë serioze për organizmin, sidomos kur vapa zgjat për ditë të tëra dhe trupi përpiqet vazhdimisht të ruajë temperaturën normale.
Përballë të nxehtit ekstrem, vetëm pirja e ujit dhe shmangia e diellit nuk janë gjithmonë të mjaftueshme. Disa masa të thjeshta mund të ndihmojnë trupin të përballojë më mirë temperaturat e larta dhe të shmangë problemet që lidhen me mbinxehjen.
Një nga mënyrat më efikase për t’u freskuar është ftohja e zonave ku enët e gjakut ndodhen më pranë sipërfaqes së lëkurës. Një peshqir i ftohtë ose një kompresë në qafë, sqetulla apo pjesën e brendshme të kofshëve mund të ndihmojë në uljen më të shpejtë të temperaturës së trupit. Akulli nuk duhet vendosur direkt mbi lëkurë për një kohë të gjatë.
Edhe përdorimi i ventilatorit kërkon kujdes. Ai nuk e ul temperaturën e dhomës, por ndihmon në qarkullimin e ajrit dhe largimin e nxehtësisë nga trupi. Një mënyrë për ta bërë më efektiv është vendosja e një ene me akull ose një shishe me ujë të ngrirë përpara tij.
Për të mbajtur shtëpinë më të freskët, dritaret dhe perdet duhen mbajtur të mbyllura gjatë orëve më të nxehta të ditës, veçanërisht kur rrezet e diellit bien direkt brenda. Ajrosja është më efektive në mbrëmje ose herët në mëngjes, kur temperaturat janë më të ulëta.
Gjatë vapës, trupi humbet jo vetëm ujë, por edhe kripëra minerale përmes djersës. Për këtë arsye, nuk duhet pritur gjithmonë ndjenja e etjes për të pirë ujë. Në rastet kur djersitja është e madhe, pijet me elektrolite mund të ndihmojnë në zëvendësimin e mineraleve të humbura.
Aktiviteti fizik gjatë temperaturave ekstreme duhet të përshtatet me kushtet e motit. Ushtrimet jashtë janë më të sigurta në orët më të freskëta të ditës, ndërsa pushimet duhet të jenë më të shpeshta. Trupi harxhon më shumë energji gjatë vapës edhe kur kryen aktivitete të zakonshme.
Një tjetër pikë e rëndësishme është dallimi mes lodhjes nga nxehtësia dhe një situate më serioze. Djersitja e madhe, dobësia, marramendja, dhimbja e kokës dhe të përzierat mund të jenë shenja të rraskapitjes nga nxehtësia.
Ndërsa temperatura shumë e lartë e trupit, hutimi, marramendja e fortë ose humbja e ndjenjave mund të tregojnë goditje nga nxehtësia, një gjendje që kërkon ndihmë të menjëhershme mjekësore.
Në ditët me temperatura ekstreme, qëllimi nuk është vetëm të ndiheni më rehat, por të ndihmoni trupin të mos arrijë pikën ku nuk arrin më të kontrollojë vetë temperaturën.


