“I vetëburgosuri i vetëvendosur”, kush është Lulzim Hetemi, kryetari i ri i Lepasoviçit i cili humbi motrën në luftë?
Lulzim Hetemi u zgjodh kryetar i ri në Leposaviç pas zgjedhjeve të zhvilluar në veri të Kosovës.
Situata vijon të mbetet e tensionuar në Mitrovicë, pas përplasjeve të serbëve me policinë e Kosovës gjithashtu edhe KFOR pasi nuk pranojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë.
Ndërkohë Hetemi qëndroi i ngujuar në zyrën e tij pas shpërthimit të protestave që arritën kulmin më 29 maj.
Në një reagim në Facebook, kryeministri i Kosovës Albin Kurti vlerësoi qëndrimin e tij, ndërsa rreth dy javë më parë u shpreh:
"Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, për çdo ditë i merr mesatarisht nga dhjetë kërkesa të ndryshme prej shumë anëve që ky të dalë prej zyres së tij. Çka s’i thonë: disa e marrin me të mirë, disa jo me të mirë, e disa të dyja këto njërën pas tjetrës. Lulzim Hetemi është vëllau i dëshmores Fatime Hetemi (që ra heroikisht si ushtare e UÇK-së bashkë me Fehmi e Xhevë Lladrovcin më 22 shtator 1998). E falënderoj Kryetarin Lulzim nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës dhe rend e ligj".
Por ajo çfarë ra në sy në atë kohë ishte një koment i kryeministrit Edi Rama, i cili në një konferencë disa ditë më parë u shfaq kritik ndaj qëndrimit të kryetarit të Lepasoviç.
Rama e cilësoi të pakuptimtë qëndrimin e Lulzim Hetemit, në selinë komunale të Leposaviçit, teksa e quajti ‘I vetëburgosuri i vetëvendosur’.
“Nuk funksionon dot as funksionet bazike të një njeriu të lirë normal dhe të dali të marrë ajër jashtë godinës. Ajo që u bë me zgjedhjet është gjëja e duhur. Por, ajo u bë që edhe bashkitë, komunat me shumicë dërrmuese serbe të qeverisin shqiptarët. S’u bë për këtë. Ajo u bë për t’iu thënë serbëve që ju bojkotoni por mirë, ne s’i lëmë institucionet në vakuum. Ama në momentin kur krijohen kushtet për zgjedhje të parakohshme, s’ka më logjikë të mbahet vetëburgosuri i vetëvendosur në një godinë ku s’bëhet asnjë aktivitet”, tha Rama.
Por kush është Lulzim Hetemi?
Hetemi, ka qenë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga lufta mundi të shpëtonte, por në përballjen kundër forcave serbe, Hetemi humbi motrën Fatimen, e cila po ashtu ishte pjesë e UÇK-së.
Dy muaj më parë, kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lulzim Hetemi, premtoi se do t’i dilte për zot problemeve që ballafaqohen qytetarët e Komunës së Leposaviçit.
Pak ditë para zgjedhjeve, ai u shpreh për mediat se gjendja e sigurisë në komunë, sidomos në tre fshatrat shqiptare, nuk ka qenë më e mirë asnjëherë dhe se incidente ndëretnike nuk ka pasur kurrë.
“Dilni votoni të dielën qytetarë shqiptarë të fshatrave Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë. Por, ftoj edhe qytetarët serbë të dalin në komunën e tyre, në të cilën do të lindë dielli pas sa viteve, në mënyrë që ta kemi një komunë demokratike, pa dhunë dhe incidente”, ishte apeli që i drejtoi ai qytetarëve dy muaj më parë.
Edhe pse u zgjodh kryetar ditët në vijim u shoqëruan me tensione e përplasje të forta mes serbëve dhe policisë.