Ja si të jeni produktivë gjatë verës pa hequr dorë nga pushimet dhe kënaqësitë e stinës...

Vera na shtyn të kalojmë sa më shumë kohë jashtë, pranë detit, me miqtë ose thjesht larg ekranit të kompjuterit. Megjithatë, puna dhe detyrimet e përditshme nuk ndalojnë. Lajmi i mirë është se nuk ke nevojë të heqësh dorë nga vera për të qenë produktiv. Mjaftojnë disa ndryshime të vogla në rutinën tënde për të organizuar më mirë ditën dhe për të shijuar stinën pa stres.
Nis ditën me detyrat më të rëndësishme
Orët e para të mëngjesit janë zakonisht momenti kur kemi më shumë energji dhe përqendrim. Përfundo fillimisht detyrat që kërkojnë më shumë vëmendje dhe lëri ato më të lehtat për më vonë. Nëse ke planifikuar edhe stërvitje, provo ta bësh në mëngjes, në mënyrë që të mos e shtysh gjatë gjithë ditës.
Mos i neglizho pushimet e shkurtra
Një pauzë prej vetëm pak minutash mund të bëjë diferencën. Largohu nga ekrani, bëj një shëtitje të shkurtër ose thjesht merr frymë në ajër të pastër. Edhe pesë minuta mjaftojnë për t'u rikthyer në punë me më shumë energji dhe fokus.
Riarredo ambientin ku punon
Një ndryshim i vogël në hapësirën e punës mund të ndikojë shumë në humor. Shto një bimë, disa lule ose riorganizo tavolinën tënde. Një ambient më i këndshëm e bën ditën e punës më të lehtë dhe më motivuese.
Planifiko ditën e nesërme para se të largohesh nga puna
Përpara se të mbyllësh kompjuterin, shëno prioritetet kryesore për ditën tjetër. Kjo të ndihmon ta nisësh mëngjesin më i organizuar, pa humbur kohë duke menduar nga t'ia fillosh.
Lër kohë edhe për veten
Pas një dite pune, gjej pak kohë për diçka që të bën mirë. Një shëtitje, një kafe me miqtë ose edhe një zhytje e shpejtë në det, nëse jeton në një qytet bregdetar, mund të të ndihmojnë të çlodhesh dhe të rikuperosh energjitë. Nëse ke mundësi, mbaji me vete rrobat e banjës dhe shfrytëzo orët e pasdites për pak freski.
Mos harro balancën
Produktiviteti nuk do të thotë të punosh pa pushim. Përkundrazi, kur i jep vetes kohë për të pushuar dhe për të shijuar verën, rikthehesh në punë më i motivuar, më kreativ dhe me më shumë energji. Ndonjëherë, sekreti për të bërë më shumë është thjesht të mësosh të ndalosh për pak.

