Wenger analizon Botërorin 2026: Formula me 48 skuadra rezultoi një sukses

Wenger analizon Botërorin 2026: Formula me 48 skuadra rezultoi një

Arsene Wenger ka bërë bilancin e tij për Kupën e Botës 2026, edicioni i parë me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve. Ish-trajneri i Arsenalit, që aktualisht ka një rol në FIFA për zhvillimin global të futbollit, e vlerësoi pozitivisht formatin e ri të turneut.

Në fillim kishte shumë diskutime për rritjen e numrit të skuadrave pjesëmarrëse, por sipas Wenger ky ndryshim i dha mundësi më shumë vendeve të përfaqësohen dhe solli ndeshje interesante gjatë gjithë kompeticionit.

Ai shpjegoi se diferenca mes kombëtareve është zvogëluar dhe shumë ekipe që nuk konsideroheshin favorite arritën të konkurronin në nivele të larta.

“Ka pasur shumë pikëpyetje për 48 skuadrat, por turneu tregoi se kjo formulë funksionoi. Pamë ndeshje të bukura dhe shumë spektakël”, u shpreh Wenger.

Ish-tekniku francez analizoi edhe finalen mes Spanjës dhe Argjentinës, duke vënë në dukje ndryshimet mes dy skuadrave.

Sipas tij, Spanja u dallua për mënyrën e organizimit dhe lojën teknike, ndërsa Argjentina për forcën, intensitetin dhe karakterin në fushë.

“Spanja ishte më shumë skuadër në mënyrën sesi luajti, ndërsa Argjentina në mënyrën sesi u soll. Ata kishin më shumë grintë dhe një lojë më fizike, tipike për futbollin e Amerikës së Jugut”, u shpreh Wenger.

Ai vlerësoi edhe stilin e Spanjës, duke e lidhur suksesin e saj me teknikën dhe zgjuarsinë në lojë.

Për Wenger, Botërori 2026 dha një mesazh të qartë: cilësia teknike dhe inteligjenca në fushë mbeten elementët kryesorë që përcaktojnë suksesin në futboll.

EMISIONET