Publikohet FOTOJA e Fatjon Dervishit që u vra në Sukth, policia sekuestron kamerat e sigurisë dhe merr në pyetje 7 persona
Ky është 37-vjeçari që u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në Katund Sukth. Fatjon Dervishi sipas policisë, ishte i hetuar dhe i dyshuar në Holandë për trafik droge.
Lidhur me vrasjen e Fatjon Dervishit mbrëmjen e djeshme në Sukth në Durrës, policia ka dhënë një njotim të ri.
Ditën e sotme janë sekuestruar të gjitha kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi vrasja. Gjithashtu janë shoqëruar në polici 7 shtetas që mund të kenë dijen për ngjarjen. Mes tyre është edhe pasagjeri E.Sh, me të cilin ishte në makinë viktima gjatë ekzekutimit.
Sipas dëshmisë së këtij të fundit rezulton se ata kishin qenë në një lokal dhe po ktheheshin për në shtëpi kur janë goditur. “Ishim në një lokal dhe po ktheheshim në shtëpi kur na qëlluan”, -ka deklaruar në polici shoku i viktimës.
Shërbimet e Policisë, në drejtimin e prokurorit, kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, për rastin. Konkretisht, deri më tani, në ambientet e Policisë, janë shoqëruar për t’u pyetur mbi rrethana të kësaj ngjarjeje, 7 shtetas (mes tyre shtetasi E. Sh., pasagjer në automjetin që drejtonte 37-vjeçari, në momentin e të shtënave), janë sekuestruar kamerat e sigurisë me pamje nga aksi rrugor “Maminas – Shijak – Sukth – Sallmone” (aksi që kishte ndjekur shtetasi T. D. (M.), janë ushtruar kontrolle banesash, janë këqyrur celularë, si dhe është bashkëpunuar me ZQK Interpol Tiranën, për të identifikuar lidhje shoqërore të viktimës apo shtetas me të cilët mund të ketë pasur konflikte, jashtë vendit. Gjithashtu, janë sekuestruar automjeti që drejtonte T. D. (M.) dhe 2 celularët e tij, dhe vijon ekzaminimi i hollësishëm i tyre.
Nga verifikimet e deritanishme të kryera në koordinim me homologët holandezë, ka rezultuar se shtetasi T. D. (M.) ka qenë hetuar në këtë shtet, për trafikim të lëndëve narkotike.
Materialet për këto veprime procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kryerjen e hetimeve të mëtejshme, me qëllim zbardhjen e dinamikës së kësaj ngjarjeje, për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Automjeti ndaj të cilit u qëllua, e cila ishte në pronësi të viktimës, është sekuestruar, gjithashtu dhe 2 celularë që ai kishte në përdorim.
Sipas njoftimit të policisë, Fatjon (Toni) Dervishi rezulton se ka qenë i hetuar më parë në shtetin e Hollandës për trafikim të lëndëve narkotike. Prandaj, hetuesit shqiptarë janë duke u koordinuar edhe me homologë hollandez për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.