VIDEO/ Ish-drejtori i OSHEE-së paraqitet në SPAK, Ardian Çela për “Ora News”: Jam thirrur jo për atë që mendon ti
Ish-drejtori i OSHEE-së Ardian Çela është paraqitur mëngjesin e kësaj të enjteje në Prokurorinë e Posaçme SPAK.
I pyetur nga gazetari i "Ora News", Edison Vatnikaj për arsyen e thirrjes së tij, Çela theksoi se nuk është thirrur për ato që aludohen në media.
BISEDA
Gazetari: Jeni thirrur z. Çela?
Çela: Jo për ashtu që mendon ti...
Nuk dihet ende arsyeja pse Adrian Çela është thirrur në SPAK, ndërsa ish-drejtori i OSHEE-së është akuzuar publikisht nga Partia Demokratike se ka një dosje të plotë me prova e fakte të asaj që opozita e quan piramida e ngritur nga Partia Socialiste për blerjen e votave në qarkun e Durrësit.
Dhe duket se pas arrestimit të deputetit socialist në qarkun e Durrësit Jurgis Çyrbja, duket se krimi zgjedhor i përmendur në dosjen e SPAK-ut ka nisur të hetohet.
“Futen në lojë pas orës policore, drejtuesit duke nisur nga Ardian Çela një grup i madh nëpunësish, zyrtarë që sot më tepër janë punonjës të OSHE-së, të sjellë edhe nga rrethet e tjera në Durrës që kanë vetëm një funksion, ndarjen e parave.
Kam bërë denoncimin gati, dhe do e dërgoj në SPAK të gjithë piramidën që më ka ardhur nga disa koordinatorë socialistë, por dhe nga faktet që kemi mbledhur në Durrës këto ditë, të gjithë piramidën e atyre që dalin të blejnë vota.
Janë me numra telefoni e fakte. Po ndiqet dhe një grup tjetër që vazhdon të bëj të njëjtën gjë në zona të ndryshme të Durrësit, duke nisur nga ish Komunat deri në qendër të Durrësit dhe janë të gjithë nën komandën e Ardian Çelës.
Këto janë të faktuara dhe SPAK ka detyrë të vëjë në ndjekje këta njerëz që po kryejnë krim elektoral.
Ky është në krye të piramidës që është dhe koordinatori i caktuar nga Rama për atë qark. Ky drejton lojën e shitblerjes së votave, pastaj vjen rangu i drejtuesve lokalë dhe në fund fare janë disa kriminelë të vegjël që bëjnë shpërndarjen e fundit të parave. Ata duhet të shkojnë në burg.
Këta persona që të gjithë Durrësi e di se po kryejnë këtë krim elektoral duhet të mbajnë përgjegjësi përpara se të vijnë zgjedhjet. Këtë duhet ta bëjnë organet hetimore, megjithatë ne ia plotësuam këtë dëshirë dhe do ia vë në dispozicion me numra telefoni e fakte”, do të deklaronte ish-Drejtuesi politik dhe kryesuesi i listës së PD-së në qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Edi Paloka.
Në VIDEO - DENONCIMI I KRIMIT ZGJEDHOR NE DURRES NGA EDI PALOKA