LSDM akuzon qeverinë për shmangie të përgjegjësisë pas krizës së ujit në Gostivar:Po s*lmohen ekspertët

LSDM ka reaguar ndaj deklaratave të qeverisë së OBRM-PDUKM lidhur me krizën e ujit në Gostivar, duke e akuzuar atë se po tenton të zhvendosë vëmendjen nga përgjegjësia institucionale.
Sipas LSDM-së, në vend që të japë sqarime për reagimin e institucioneve dhe shpalljen e vonuar të epidemisë, Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski ka sulmuar mjekët dhe profesorët që ngritën shqetësime për situatën.
“Ekspertët nuk po e shfrytëzojnë epideminë, por po kërkojnë transparencë dhe po paralajmërojnë për mangësi”, deklaruan nga LSDM, duke e cilësuar si të rrezikshme përpjekjen për të fajësuar ata që kërkojnë përgjegjësi.
Partia opozitare pretendon se problemi kryesor lidhet me reagimin institucional dhe mungesën e informacionit të qartë për qytetarët, duke theksuar se banorët e Gostivarit u përballën me pasoja për shkak të dështimeve në menaxhimin e situatës.
LSDM e akuzoi qeverinë e OBRM-PDUKM-së se po ndjek një model të shmangies së përgjegjësisë duke sulmuar mjekë, ekspertë dhe kritikë të institucioneve.


