Sondazhi, 57% e shqiptarëve thonë se të ardhurat u mjaftojnë vetëm për nevojat minimale

Sondazhi, 57% e shqiptarëve thonë se të ardhurat u mjaftojnë

Kostoja e jetesës dhe çmimet e larta janë kthyer në shqetësimin kryesor ekonomik për shqiptarët, në një kohë kur 57% e të anketuarve deklarojnë se të ardhurat u mjaftojnë vetëm për nevojat minimale ose nuk mbulojnë as gjërat më të domosdoshme.

Sipas Sondazhit Kombëtar për Shqipërinë të zhvilluar nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, 67% e qytetarëve e rendisin koston e jetesës dhe çmimet e larta si një nga dy problemet më të rëndësishme të vendit. Presioni ekonomik po ndikon edhe në kërkesat ndaj qeverisë: 61% do të preferonin përparësi për uljen e kostos së jetesës, përkundrejt 38% që zgjedhin luftën ndaj korrupsionit. Ndërsa përballë integrimit europian, 57% vendosin të parën përballueshmërinë dhe 43% anëtarësimin në BE dhe reformat e nevojshme për këtë proces.

Kostoja e jetesës ka një diferencë të madhe ndaj shqetësimeve të tjera. Papunësia përmendet nga 35% e të anketuarve si një nga dy problemet kryesore, ndërsa korrupsioni nga 29%. Më pas renditen pensionet me 13%, shëndetësia me 11% dhe emigracioni me 10%.

Në përgjigjen e parë spontane, 42% përmendën menjëherë koston e jetesës dhe çmimet, ndërsa 25% të tjerë e renditën si problemin e dytë më të rëndësishëm. Për papunësinë, këto përqindje ishin përkatësisht 19% dhe 16%, ndërsa për korrupsionin 13% dhe 16%.

Ushqimet, barra kryesore e çmimeve

Për familjet, shqetësimi më i madh lidhet me shpenzimet më bazike. Mes 808 të anketuarve që e identifikuan koston e jetesës ose çmimet si një nga problemet kryesore, 40% thanë se barra më e madhe ishte çmimi i ushqimeve.

Për 24%, problemi kryesor është niveli i kostos së jetesës në raport me të ardhurat nga puna, ndërsa 12% veçuan pamjaftueshmërinë e pensioneve përballë shpenzimeve. Kostoja e blerjes ose marrjes me qira të një banese u rendit e para nga 10% e këtij grupi, kurse 6% përmendën kostot e shëndetësisë dhe 4% shpenzimet e transportit, përfshirë karburantin dhe tarifat e autobusëve.

Presioni i çmimeve pasqyrohet edhe në mënyrën se si qytetarët e përshkruajnë gjendjen e tyre ekonomike. Rreth 13% deklarojnë se kanë vështirësi të ushqejnë veten dhe familjen dhe të blejnë edhe gjërat më të domosdoshme për mbijetesë.

Ndërkohë vetëm 44% thonë se kanë mjete të mjaftueshme për të mbijetuar, por jo para për shpenzime shtesë. Të marra së bashku, këto dy kategori përfaqësojnë 57% të të anketuarve.

Ndërkohë, 36% deklarojnë se mund të përballojnë disa gjëra shtesë dhe vetëm 6% se kanë mundësi të blejnë shumicën e gjërave që dëshirojnë. Këto përgjigje përfaqësojnë vetëvlerësimin e qytetarëve për gjendjen e familjes dhe nuk duhet të interpretohen si normë zyrtare e varfërisë, thekson dokumenti.

Të ardhurat e familjeve nuk rezultojnë se kanë ndjekur një trajektore të njëjtë për të gjithë gjatë vitit të fundit. Rreth 31% thonë se situata e tyre ekonomike është përkeqësuar në 12 muajt e fundit, prej të cilëve 20% raportojnë përkeqësim të moderuar dhe 11% përkeqësim të ndjeshëm. Në të kundërt, 25% raportojnë përmirësim, ndërsa për 44% gjendja ka mbetur e pandryshuar.

Ekonomia vendoset përpara prioriteteve të tjera

Kur u kërkohet të zgjedhin drejtpërdrejt mes përballueshmërisë dhe luftës ndaj korrupsionit, gati dy në tre qytetarë vendosin përparësi te ulja e kostos së jetesës. Mbështetja për këtë zgjedhje arrin në 64% te personat mbi 56 vjeç dhe 63% te grupmosha 36–55 vjeç. Edhe mes të rinjve 18–35 vjeç, 54% zgjedhin përballueshmërinë, kundrejt 45% që preferojnë luftën ndaj korrupsionit.

Kostoja e jetesës ruan përparësinë edhe kur alternativë është integrimi europian. Rreth 57% do të preferonin një qeveri të përqendruar në përballueshmëri dhe uljen e kostos së jetesës, ndërsa 43% një qeveri që i jep përparësi anëtarësimit në BE dhe reformave të nevojshme për arritjen e këtij objektivi.

Edhe në pyetjen e hapur se cilën çështje duhet të trajtojë me përparësi qeveria, ekonomia në përgjithësi renditet e para me 35%. Punësimi dhe pensionet pasojnë me nga 11%, ndërsa pagat dhe korrupsioni përmenden nga 7% secili.

Rezultatet tregojnë se presioni mbi buxhetet familjare nuk është vetëm shqetësimi më i përmendur nga qytetarët, por po përcakton edhe renditjen e prioriteteve publike, duke u vendosur përpara dy prej objektivave kryesore politike të vendit: luftës kundër korrupsionit dhe integrimit në Bashkimin Europian.

Sondazhi u zhvillua nga 9 prilli deri më 3 maj 2026, përmes intervistave ballë për ballë me 1,200 qytetarë shqiptarë mbi 18 vjeç. Kampioni është përfaqësues në nivel kombëtar dhe marzhi maksimal i gabimit është ±3.1 pikë përqindjeje. Raporti sqaron se mbledhja e të dhënave përfundoi përpara protestave që nisën më 23 maj 2026, ndaj rezultatet përfaqësojnë perceptimet e qytetarëve në periudhën e zhvillimit të sondazhit. /ekofin.al

EMISIONET