Deti i Kuq në alar/ Houthit g*dasin cisternat saudite dhe rrisin frikën për krizë energjetike

Rebelët Houthi në Jemen kanë përshkallëzuar tensionet në Lindjen e Mesme duke sulmuar me raketa dhe dronë dy anije-cisterna saudite të naftës në Detin e Kuq.
Sipas grupit Houthi, sulmi ishte një kundërpërgjigje ndaj bllokadës së aeroporteve dhe porteve në zonat nën kontrollin e tyre, pjesë e një strategjie të quajtur “bllokadë për bllokadë”.
Autoritetet saudite konfirmuan se njëra prej cisternave u godit dhe mori flakë, por bënë të ditur se të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt. Edhe Agjencia Britanike për Sigurinë Detare raportoi incidentin dhe njoftoi se zjarri në anije po vihej nën kontroll.
Sulmi vjen pas bombardimeve ndaj aeroportit të Sanaas nga forcat e mbështetura nga Arabia Saudite, veprim për të cilin Houthit pretendojnë se ishte shkaku i hakmarrjes së tyre.
Përshkallëzimi i situatës ka rritur shqetësimet për sigurinë e lundrimit në Detin e Kuq, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të energjisë.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo pengesë në rrugët strategjike detare, përfshirë Bab al-Mandeb dhe Ngushticën e Hormuzit, mund të ndikojë në furnizimin me naftë e gaz dhe të sjellë rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.


