Vetëm pak orë pas një aksidenti tragjik, tjetër përplasje në Peqin-Rrogozhinë/ Një makinë shkatërrohet, një i plagosur

Vetëm pak orë pas një aksidenti tragjik, tjetër

Një tjetër aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të diele në aksin kombëtar Peqin–Rrogozhinë, vetëm pak orë pas përplasjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në afërsi të fshatit Karinë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:45, pranë kryqëzimit të Gjocajt, afër qytetit të Peqinit, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën.

Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa njëra prej makinave ka pësuar dëmtime të rënda.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se aksidenti ka ndodhur pasi njëri prej automjeteve është futur në rrugën kryesore në kundërshtim me rregullat e qarkullimit, duke sjellë përplasjen me mjetin tjetër.

Si pasojë e aksidentit ka mbetur i plagosur njëri prej drejtuesve të mjeteve, i cili është transportuar për ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të përplasjes dhe përgjegjësitë e secilit drejtues mjeti.

Aksi Peqin–Rrogozhinë është përballur me disa ngjarje rrugore gjatë periudhës së fundit, duke rikthyer vëmendjen te nevoja për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë segment.

EMISIONET