Botërori 2026 sjell rregullin e ri VAR/ Embolo ndëshkohet me të kuq pas simulimit ndaj Argjentinës

Botërori 2026 ka sjellë një ndryshim të rëndësishëm në përdorimin e VAR-it, i cili u vu menjëherë në provë në sfidën mes Argjentinës dhe Zvicrës. Episodi me protagonist Breel Embolo u kthye në një nga momentet më të diskutuara të turneut, pasi një karton i verdhë i dhënë gabimisht ndaj një lojtari argjentinas u korrigjua dhe solli përjashtimin e sulmuesit zviceran.
Risia e vendosur nga FIFA parashikon që arbitri të rishikojë në monitor jo vetëm rastet e kartonit të dytë të verdhë që çojnë në karton të kuq, por edhe situatat kur një lojtar ndëshkohet gabimisht për një faull të kryer nga një tjetër futbollist.
Në përballjen Argjentinë–Zvicër, arbitri Pedro Pinheiro ndëshkoi me karton të verdhë Leandro Paredes për një ndërhyrje ndaj Embolos. Pamjet e VAR-it treguan se mes dy lojtarëve nuk kishte pasur kontakt dhe se sulmuesi zviceran kishte simuluar.
Pas rishikimit të episodit, arbitri anuloi kartonin e verdhë të Paredes dhe ia dha atë Embolos për simulim. Për sulmuesin e Zvicrës ky ishte kartoni i dytë i verdhë, çka solli automatikisht kartonin e kuq dhe largimin e tij nga fusha.
Sipas rregullores së re, ndërhyrja e VAR-it u bë e mundur pikërisht për shkak të ndëshkimit të gabuar ndaj Paredes. Nëse lojtari argjentinas nuk do të ishte ndëshkuar, episodi i simulimit të Embolos nuk do të rishikohej.
Vendimi shkaktoi reagim nga trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, i cili kundërshtoi mënyrën e aplikimit të rregullit të ri dhe e konsideroi ndërhyrjen e VAR-it të panevojshme.
Rregulli i “identitetit të gabuar” për kartonët e verdhë ishte përdorur edhe në sfidën SHBA–Paraguaj, ku një karton i dhënë gabimisht ndaj amerikanit Tim Ream u anulua dhe iu akordua lojtarit që kishte kryer simulimin.
Ndryshimi i ri i FIFA-s synon të ulë gabimet e arbitrave, por episodet e para kanë hapur debat për ndikimin që mund të ketë VAR-i në rrjedhën e një ndeshjeje.


