Uji në Tiranë i papijshëm me vendim gjtykate, Meta: Prokuroria të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit

Një ditë pasi Gjykata Administrative e Tiranës, pranoi se cilësia e ujit që furnizohet kryeqyteti është jashtë parametrave që garantojnë cilësinë e konsumimit, presidenti Ilir Meta deklaron se qytetarët e Tiranës meritojnë mbrojtje të garantuar të shëndetit përmes shërbimeve shtetërore, që mbahen dhe paguhen me taksat e tyre.
Presidenti përshëndet aktivizimin e shoqërisë civile në këtë rast për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga papërgjegjshmëria dhe keqfunksionimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës, në varësi të Bashkisë, që siç faktohet nga të dhënat e bëra publike, ka rrezikuar jetën e tyre duke i furnizuar me ujë të papërdorshëm sipas parametrave.
Tashmë që pritet arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, Kreu i Shtetit thotë se çështja duhet të ndiqet edhe në instancat më të larta shtetërore, ndërkohë të dhënat e bëra publike, duhet të vënë në lëvizje Prokurorinë për të hetuar deri ku arrin shkalla e përgjegjësisë dhe e shkeljes së ligjit, për të nxjerrë para drejtësisë këdo, që ka vendosur në rrezik masiv shëndetin e banorëve të kryeqytetit.
Për Metën, mbrojtja e shëndetit dhe e jetës së qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, duhet të jetë prioritet absolut.




