U ekz*kutua në pragun e shtëpisë në Vorë/ Zbulohet pista kryesore e konfliktit që çoi në vr*sjen e Edmond Sulës
Një 50-vjeçar mbeti i vrarë mbrëmjen e djeshme në Vorë, pasi u qëllua me armë zjarri pranë banesës së tij.
Viktima është identifikuar si Edmond Sula, i njohur edhe si Ali Sula, i cili dyshohet se është qëlluar sapo ka parkuar automjetin dhe është drejtuar për të hyrë në shtëpi.
Sipas të dhënave paraprake nga hetimet, autori mendohet se e ka pritur viktimën pranë banesës dhe e ka qëlluar nga pas me një plumb.
Në vendngjarje janë gjetur elementë që kanë ngritur dyshimet se sulmi mund të jetë kryer me armë me precizion, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa një nga pistat kryesore lidhet me konfliktet për çështje pronësie.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Sula merrej me shit-blerje pronash dhe dyshohet se mund të ketë pasur përplasje të mëparshme për interesa pronësore.
Nga verifikimet e para rezulton se 50-vjeçari nuk kishte precedent penal, megjithëse në zonë njihej si një "i forti i lagjes".
Hetuesit po analizojnë edhe marrëdhëniet e tij me persona të tjerë, ndërsa po mblidhen dëshmi dhe prova për të zbuluar lëvizjet e autorit para dhe pas ngjarjes.
Vrasja ndodhi në një zonë pranë banesave, ku autori dyshohet se ka përfituar nga momenti kur viktima ishte vetëm dhe sapo kishte mbërritur në shtëpi.
Policia vijon kontrollet dhe hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personit përgjegjës.


