Replikat mbi protestën/ Haxhimali: Qytetarët nuk durojnë më, qeveria duhet të reagojë!

Një lëvizje masive qytetare që ka hyrë në ditën e saj të 24-të po vlerësohet si një moment kthese historik, i cili ka ndryshuar rrënjësisht moralitetin e shoqërisë shqiptare.
Me një qasje inovatore, paqësore dhe familjare, tubimet tregojnë qartë se qytetarët nuk janë më të gatshëm të pranojnë shtypjen e radhës, duke thyer mitin e një populli që nuk reagon përballë padrejtësive.
I ftuar në një intervistë të drejtpërdrejtë në "ORA NEWS", Drejtuesi i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimali , shprehu një mbështetje të hapur për qytetarët e tubuar.
Sipas tij, protesta ka qenë madhështore, inovatore dhe me një frymë të theksuar familjare, e cila i ka rikthyer moralitetin kryeqytetit dhe mbarë Shqipërisë.
Ajo çfarë po ndodh në rrugë, thekson ai, është reagimi i natyrshëm i një populli që nuk pranon më të vuajë apo të keqqeveriset.
Gjatë intervistës, Haxhimali u ndal edhe tek reagimi i qeverisë, të cilin e cilësoi si një shfrenim të imagjinatës me teori mbi agjentura të huaja.
Ai sugjeroi se në vend të propagandës dhe shfajësimit, qeveria duhet të pranojë gabimet e saj dhe të japë dorëheqjen, duke ndjekur shembullin e demokracive perëndimore si rasti i fundit në Britaninë e Madhe.
"E kam lexuar, e kam prekur, e kam mbështetur që nga dita e parë. Me prezencën time, me shkrimet e mia, me qëndrimet e mia si një aktivist i shoqërisë civile. Madhështore, inovatore, qytetare, familjare.
Protestë që solli dhe e ka sjellë, çfarëdo rezultati politik do të ketë, ka ndryshuar moralitetin e kryeqytetit, moralitetin e Shqipërisë. E ka ngritur shpirtin, zemrën, mendjen e cilitdo shqiptari në Shqipëri dhe përtej Shqipërisë, për të treguar që nuk jemi ato që na janë thënë deri dje që nuk reagojmë, jemi të butë e pranojmë çdo lloj shtypje.
Jo, këto jemi ne që reagojmë. Me një cilësi dhe sasi të tillë proteste të paparë në këto 30 vite, vetëm njeriu më i humbur, më i paaftë dhe më negativi nuk reagon. Por përballë kësaj madhështie, kreativiteti, inovacioni me gjetje të bukura që kanë goditur në thelb, në themel, në shpirt, në zemër këtë sistem, këtë keqqeverisje, por dhe më gjerë kemi reagimin tjetër nga ana e qeverisë me keqardhje.
Imagjinatë e shfrenuar... agjent, agjentura, Irani, Serbia, Moldavia, Greqia, pra e gjithë bota e kishte mendjen me sjellë agjentura këtu në Shqipëri, a thua se Shqipëria ishte kërthiza e botës edhe ishte pika gjeostrategjike gjeopolitike që shkund botën. E pafalshme për qeverinë të ngrejë një mijë e një epitete për cilindo nga ato që dalin aty. Ato meritojnë vetëm respekt. Fëmija në karrocë, prindërit që e mbanin fëmijën në krahë duke protestuar për një Shqipëri të re, për një jetë më të mirë, për një kontratë sociale më të mirë, ato nuk janë armiq.
Atyre u ka dhembur shpirti, nuk kanë duruar më këtë kalvarin e gjatë të vuajtjeve prej 35 vitesh, nuk durojnë dot më këtë propagandën e shfrenuar... e shfrenuar gjatë kësaj dekadës së fundit nga kjo qeveri.
Ndaj kanë bërë mirë, i mbështes dhe do t'i mbështes deri në momentin e fundit. Ato janë në të drejtën e tyre. Qeveria është gabim, qeveria duhet të reagojë, qeveria duhet të japë dorëheqjen dhe të pranojë kërkesat e protestuesve."
NDIQNI INTERVSITEN E PLOTE




