Pavarësisht protestave, Rama nuk tërhiqet nga investimet e Jared Kushner: Mandatin ma dhanë qytetarët, jo hashtag-et

Qeveria e Shqipërisë nuk do të tërheqë mbështetjen e saj për dy projekte turistike luksoze të mbështetura nga firma e investimeve e Jared Kushner, pavarësisht javëve të protestave të përditshme, tha kryeministri Edi Rama për Bloomberg.

Në deklaratat me shkrim për Bloomberg, Rama theksoi se qeveria e tij duhet të bëjë dallimin midis "protestave të vërteta" dhe "teatrit politik", siç i përshkroi ai protestat kundër projekteve.

Ai argumentoi se votuesit i dhanë një mandat të fortë në zgjedhjet e vitit të kaluar për të ecur përpara me vizionin e tij për transformimin e Shqipërisë në një destinacion turistik të nivelit të lartë, "dhe jo për të qeverisur përmes hashtag-eve ose zërave më të zhurmshëm në internet".

Projektet, të mbështetura nga kompania e Affinity Partners e Jared Kushner, kanë shkaktuar një reagim të ashpër kombëtar mbi zhvillimin bregdetar dhe procesin e miratimit për investime të mëdha private.

"As një pakicë e zhurmshme, as forcat e opozitës, as një valë zemërimi e amplifikuar dixhitalisht e nxitur nga joshja ndërkombëtare e emrit Trump e lidhur me atë që unë e shoh si një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe as ndërhyrja e aktorëve të huaj keqdashës nuk do të na pengojnë të realizojmë vizionin e 'Shqipëria 2030", tha Rama.

Protestat nisën në fund të majit, pas fillimit të punimeve paraprake në zonën e gadishullit Zvernec, ndërsa Ivanka Trump kishte folur më herët për planet e zhvillimit të zonës së ishullit të Sazanit.

Që atëherë, Rama ka pretenduar se protestat po nxiten nga një "ekosistem reagimesh të fryra artificialisht dixhitalisht".

Në një deklaratë më të fundit, ai tha se "koha do të tregojë nëse Irani nuk është i vetmi faktor i përfshirë".

EMISIONET