Belgjika në alarm portokalli/ Temperaturat pritet të arrijnë deri në 39 gradë

Belgjika po përballet me një valë të fortë të të nxehtit, me autoritetet që kanë shpallur alarm portokalli në të gjithë vendin për shkak të temperaturave ekstreme që pritet të shënohen gjatë kësaj jave.
Instituti Mbretëror Meteorologjik (RMI) njoftoi se paralajmërimi do të hyjë në fuqi duke filluar nga dita e enjte, ndërsa në zonën e alarmit janë përfshirë tashmë edhe rajonet bregdetare.
Përballë situatës, qeveria belge ka mbledhur Qendrën Kombëtare të Krizave për të shqyrtuar masat emergjente, veçanërisht për shkak të temperaturave të larta gjatë natës, të cilat konsiderohen të pazakonta dhe shqetësuese.
Sipas meteorologëve, temperaturat mund të arrijnë deri në 37 gradë Celsius të enjten, ndërsa në disa zona pritet të shkojnë deri në 39 gradë Celsius gjatë ditëve në vijim.
Edhe temperaturat gjatë natës mund të vendosin një rekord të ri kombëtar, me minimumet që parashikohet të arrijnë deri në 28 gradë Celsius, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 24,4 gradësh të regjistruar në vitin 2015.
Autoritetet shëndetësore u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht të moshuarve dhe grupeve të tjera të rrezikuara, duke rekomanduar hidratim të vazhdueshëm, shmangie të ekspozimit në diell dhe qëndrimin në ambiente të freskëta.
Parashikuesit kanë paralajmëruar gjithashtu për stuhi të mundshme në fund të javës, me kushte të paqëndrueshme atmosferike që mund të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme./AA



