EMRAT/ Trafik dr*ge dhe dokumente false, dënohen dy shqiptarë në Britani

Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me burg në Mbretërinë e Bashkuar pasi u shpallën fajtorë për përfshirje në furnizimin me kokainë dhe posedim të dokumenteve të falsifikuara.
34-vjeçari Zenel Marku dhe 24-vjeçari Eldjan Mandri u dënuan nga Gjykata e Kurorës në Chester, pasi hetimet zbuluan aktivitetin e tyre në shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Gjatë seancës gjyqësore u bë e ditur se Marku do të përballet gjithashtu me pasoja për arratisjen nga një burg i hapur në vitin 2021, menjëherë pasi ishte transferuar aty gjatë vuajtjes së një dënimi të mëparshëm për vepra të rënda penale të lidhura me drogën, të kryera në vitin 2018. Gjykata konstatoi gjithashtu se të dy të pandehurit kishin hyrë ilegalisht në Britani.
Sipas prokurorisë, një efektiv i policisë së Cheshire kishte qenë dëshmitar i një shkëmbimi droge mes Mandrit dhe një personi të paidentifikuar. Ndërsa Mandri u largua nga vendngjarja, personi tjetër u ndalua nga policia dhe dha një përshkrim të dy shqiptarëve, si edhe mesazhet që kishte marrë prej tyre.
Një natë më vonë, operatorët e kamerave të sigurisë njoftuan policinë për një tjetër transaksion të dyshuar droge pranë një kanali. Oficerët identifikuan sërish Mandrin, i cili hodhi lëndën narkotike në kanal sapo vuri re praninë e policisë. Megjithatë, autoritetet arritën të sekuestronin një sasi të vogël droge. Gjatë arrestimit të tij, telefoni i Mandrit binte vazhdimisht nga persona që kërkonin të porosisnin drogë.
Gjatë kontrollit në banesën e tyre, policia gjeti rreth 2 mijë paund para cash, si edhe dokumente të falsifikuara që i përkisnin të dy të pandehurve.
Avokati mbrojtës i Markut deklaroi se klienti i tij kishte vepruar nën presionin e grupeve kriminale për të shlyer borxhe, ndërsa për Mandrin u tha se kishte mbërritur në Britani në kërkim të një jete më të mirë, por më pas ishte përfshirë në shpërndarjen e drogës në këmbim të strehimit dhe një pagese modeste.
Në përfundim, gjykata dënoi Zenel Markun me gjashtë vjet e gjashtë muaj burg për të gjitha veprat penale, dënim që do të nisë pasi ai të ketë përfunduar edhe gjashtë vitet e mbetura nga dënimi i mëparshëm i vitit 2018.
Ndërkohë, Eldjan Mandri u dënua me 26 muaj burg, përfshirë tre muaj shtesë për posedim dokumentesh të falsifikuara. Pas përfundimit të dënimit, ai do të deportohet nga Mbretëria e Bashkuar. /Dosja.al



