Iraola zbulon planet e Liverpoolit: Një anësor është prioritet në merkaton e verës

Trajneri i ri i Liverpoolit, Andoni Iraola, ka folur për planet e klubit në afatin kalimtar veror, duke bërë të qartë se “The Reds” do të vazhdojnë të jenë aktivë në merkato për të forcuar skuadrën para nisjes së sezonit të ri.
Tekniku spanjoll theksoi se drejtuesit e klubit do të shfrytëzojnë çdo mundësi që ofron tregu, por çdo transferim do të varet nga cilësia e lojtarëve në dispozicion, kostoja e operacionit dhe nevojat e ekipit.
“Është e vështirë të përcaktohet një numër. Kur afati kalimtar është i hapur, duhet të jesh gjithmonë i gatshëm të shqyrtosh mundësi të reja për ta përmirësuar skuadrën”, u shpreh Iraola.
Trajneri pranoi se Liverpooli ka disa boshllëqe që duhen plotësuar, duke veçuar repartin ofensiv si prioritetin kryesor.
“Ka disa situata të qarta ku kemi nevojë për afrime. Për shembull, në krahun e sulmit na duhet patjetër një lojtar. Për pozicionet e tjera do të analizojmë atë që ofron tregu, koston e transferimeve dhe mënyrën se si i vlerësojmë lojtarët që kemi aktualisht në skuadër”, shtoi ai.
Deklaratat e Iraolës sinjalizojnë se Liverpooli nuk e ka mbyllur ende merkaton dhe pritet të intensifikojë përpjekjet për afrimin e një anësori cilësor, ndërsa nuk përjashtohen lëvizje edhe në reparte të tjera në varësi të mundësive që do të shfaqen në javët e ardhshme.


