“9 vite pas reformës”/ Gogu: Vetingu pastroi sistemin, Gjykata e Lartë uli me 60% dosjet e prapambetura

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi të dhënat e raportit të fundit mbi ecurinë e reformës në drejtësi, duke u ndalur te procesi i vetingut, reduktimi i dosjeve të mbartura dhe nisja e digjitalizimit të sistemit gjyqësor.

Në një konferencë për mediat, Gogu u shpreh se raporti e vlerëson reformën në drejtësi si një proces që po konsolidohet pas nëntë vitesh zbatimi, ndërsa përmendi pastrimin e sistemit përmes vetingut si një nga etapat më të rëndësishme.

“Pas 9 vitesh kemi një pastrim tërësor dhe të gjithanshëm të sistemit, një nivel që nuk është parë në rajon dhe në shumë pak vende të Bashkimit Europian. Ky proces ka qenë i vështirë, por ka shërbyer për të konsoliduar pavarësinë dhe integritetin e drejtësisë shqiptare.”-tha ai.

Sipas ministrit, një tjetër zhvillim i rëndësishëm është puna e Gjykatës së Lartë për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura. Reduktimi me 60% i backlog-ut shihet si një model që pritet të ndiqet edhe nga gjykatat e apelit dhe ato të shkallës së parë.

Ulja me 60% e dosjeve të prapambetura nga Gjykata e Lartë është një rezultat i rëndësishëm. Ky model mund të zbatohet edhe në nivelet e tjera të gjyqësorit, për të krijuar një drejtësi më të shpejtë për qytetarët.”-shtoi ministri.

Një tjetër pikë e raportit lidhet me digjitalizimin e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial. Procesi synon të reduktojë burokracitë, të rrisë transparencën dhe t’u japë qytetarëve më shumë informacion mbi çështjet e tyre.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, progresi i arritur nuk përbën fundin e reformës, pasi mbeten ende sfida për përmirësimin e mëtejshëm të funksionimit të institucioneve dhe afrimin e standardeve të drejtësisë shqiptare me ato europiane.

 

EMISIONET