Protagonistët e “Metamorfozës” kërkojnë lirinë, Apelin i GJKKO-së lë në burg Pëllumb Gjokën, prokurorin dhe ish-kreun e Operacionales
Gjykata e Posaçme e Apelit shqyrtoi këtë të enjte kërkesat e bëra nga të arrestuarit në dosjen “Metamorfoza” ku janë të hetuar bisnezmeni Pëllumb Gjoka, Drejtori i Forcave Operacionale Oltion Bistri, ish-prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita dhe të tjerë, të cilët kanë kërkuar lirinë në Apel.
Pasi u njoh me pretendimet e palëve, Apeli i GJKKO-së la në fuqi vendimin e 29 korrikut, duke i lënë në burg të arrestuarit e sipërpërmendur.
Bëhet fjalë për një seri të gjatë përgjimesh të realizuara nga autoritetet franceze, ku janë zbardhur një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, kryesisht të ndodhura në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës, ku 3 protagonistët në fjalë rezultojnë në hetime si bashkëpunëtorë të disa prej emrave të njohur të botës së krimit shqiptar, si Behar Bajri dhe Ervis Martinaj.
VENDIMI I APELIT TË GJKKO
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 31.08.2023, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 38 akti, datë 22.08.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimet e personave nën hetim P.Gj., Xh.L., E.P., A.H., O.B.,ndaj vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 dhe nr.97, datë 29.07.2023 (në lëndë të masave të sigurimit personal) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
- Miratimin e vendimit nr. 94, datë 23.07.2023 dhe vendimit nr. 97, datë 29.07.2023të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me të hetuarin P.Gj.
- Miratimin e vendimit nr. 94, datë 23.07.2023 dhe vendimit nr. 97, datë 29.07.2023të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me të hetuarin Xh.L.
- Miratimin e vendimit nr. 94, datë 23.07.2023 dhe vendimit nr. 97, datë 29.07.2023të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me të hetuarin A.H.
- Miratimin e vendimit nr. 97, datë 29.07.2023të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me të hetuarin E.P.
- Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i hetuari O.B. dhe mbrojtësi i tij, ndaj vendimit nr. 97, datë 29.07.2023të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
VENDIMI I 29 KORRIKUT I GJKKO-SË
Me 29 korrik, Gjykata e Posaçme dha masën e sigurisë arrest me burg për 6 personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, mes të cilëve emra të njohur të botës së krimit, policisë, biznesit dhe drejtësisë.
Bëhet fjalë për biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-drejtori i forcave operacionale në Policinë e Shtetit Oltion Bistri, drejtuesi i prokurorisë së Kukësit Xhevahir Lita, si dhe shtetasit Esmar Bilali, Ardit Hasanbenga dhe Edmond Preka.
Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Fallsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimit të narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Po ashtu, GJKKO ka vendosur të lërë të pandryshuar dhe masën e sigurisë për 9 personat e tjerë të shpallur në kërkim, shtetasit: Behar Bajri Brahoviç, Ervis Martinaj, Denis Bajri Brahoviç, Klaudio Haka, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Arsat Bashli, Bardhyl Mavraj, Elion Hato.
Seanca e 1 muaji me pare u ndërpre për dy orë, pasi avokatët kërkuann kohë për t’u njohur me vendimin e masës së sigurisë dhe aktet e dosjes.