Masakra në “Don Bosko”, në kërkim të autorëve dhe të dëshmitarëve. Ja si dhe me kë u arratis Fatjon Murati
Hetuesit të cilët po mbledhin prova për zbulimin e vrasjes së Mimoza Pajës dhe plagosjes së 6 të tjerëve, janë rikhyer sërish në vendin e ngjarjes dhe kësaj radhe për të mbledhur kamerat e sigurisë. Nga të dhënat rezulton se Fatjon Murati ka dalë nga Shqipëria me 12 mars, pra ditën kur ndodhi ngjarja. Destinacioni i tij besohet se ështe shtetit turk. Verifikime policia po kryen edhe për personat që kanë qenë atë natë në lokalin ku ndodhi vrasja e Mimoza Pajës, e cila punontë si banakiere.
Fatjon Murati, pronari i lokalit ku ndodhi masakra me 1 viktimë dhe 6 të plagosur në zonën e "Don Boskos" në Tiranë, u arratis nga Shqipëria vetëm disa orë para breshërisë së plumbave.
Ai ishte me masën e sigurisë "arrest shtëpie" për armëmbajtje pa leje, por shfrytëzoi marrëveshjen mes Shqipërise e Kosovës për lehtësim të lëvizjes në fundjavë për të kaluar kufirin pa gjurmë.
Ora News ka mësuar se Fatjon Murati iku drejt Kosovës të dielën e 12 marsit.
Por emri në regjistër nuk iu shënua për shkak të marrëveshjes që lëvizjes së lirë.
Në të njejtën ditë, drejt Kosovës mësohet se kaluan edhe Indrit Dokle dhe kunati i tij Gentian Reçi.
Dokle, një personazh i skeduar për disa ngjarje, u ndalua në tetor të vitit të kaluar në makinë bashkë me Fajton Muratin, i cili në atë kohë ishte person në kërkim.
Pasi kanë kaluar drejt Kosovës, rrugët e Fatjon Muratit, Idrit Dokles dhe Gentian Reçit janë ndarë.
I pari besohet se ka udhëtuar më tej drejt Turqisë, ndërsa dy miqtë e tij vijuan për në Maqedoninë e Veriut.
Ndërsa autorët e masakrës së "Don Boskos" siç është cilësuar ngjarja, ndodhen ende të lirë në arrati, hetuesit po mbledhin prova të cilat po zbardhin të plotë dinamikën e lëvizjeve.
Mjeti që rezultoi i vjedhur një vit më parë në Durrës, është fiksuar nga një kamera sigurie duke hynë në Qafë Kashari me drejtim Tiranën në orën 20:20.
Pas 30 minutash kjo makinë fiksohet në të njëjtën kamer, ku ajo del nga Tirana në orën 20:50 minuta.
Autorët duket se e kanë monitoruar edhe më parë zonën ku kryen sulmin.
Provat e siguruara nga prokuroria sugjerojnë se atentati ishte i mirëorganizuar, ndërsa breshëria e plumbave ndaj lokalit në kohën kur aty gjendeshin klientë dhe staf duket se tregon zemërimin e autorëve ose porositësve.
Prokuroria dhe policia kanë ngritur dyshime se përveç personave që janë plagosur në lokal, të pranishëm kanë qënë edhe një rreth i ngushtë familjar dhe shoqëror i Fatjon Muratit, ku dhe ata kanë qenë të dyshuar dhe të shoqëruar për ngjarje të ndryshmë kriminale.
Ngjarja dyshohet se ka të bëjë me përplasjen mes bandave, ku Murati konsiderohet dhe si kundërshtar i Ervis Martinajt, edhe ky i fundit i zhdukur prej muajsh.
Si ndodhi ngjarja?
Rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të shtetasit Fatjon Murati në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 58 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit Sahit Murati 60 vjeç, Astrit Mera 42 vjeç, Emanuel Sala 47 vjeç, Ermir Bejuku 45 vjeç dhe Genc Shohalli, 55 vjeç.
Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare, që ishte mbesa e viktimës.
Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.