Krimi bën kërdinë në mes të Tiranës, policia konfirmon mediet: Ende asnjë autor për masakrën
Masakra me kallashnikov ndaj lokalit të Fatjon Muratit në rrugën Don Bosko ku u vra banakierja dhe u plagosën 5 persona të tjerë rezulton një krim mafioz i mirëorganizuar. Autorët kanë përdorur një makinë të vjedhur në Durrës në vitin 2021 e cila u gjet e djegur ndërkohë që policia ka vendosur 20 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion për zbulimin e autorëve.
Një grup personash të mirëorganizuar kanë marrë pjesë në atentatin me armë ndaj lokalit të Fatjon Muratit ku mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja, u plagosen 5 persona të tjerë dhe u lëndua nga xhamat e thyer mbesa e saj 10-vjeçare.
Mbrëmjen e të dielës rreth orës 21:05, në rrugën "Anastas Shundi", në drejtim të lokalit në pronësi të shtetasit Fatjon Murati është qëlluar me armë zjarri automatike.
Referuar hetimeve, autorët janë afruar me automjetin tip BMVV, me targa të huaja, kanë ndaluar përbri pronës së Muratit dhe dy persona kanë zbritur duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të lokalit.
Pas kësaj autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë-Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur makinën në fshatin Likmetaj.
Në orët e para të mëngjesit, në vendin e quajtur “Ura e Sul Meres”, në territorin e fshatit Likmetaj, policia ka konstatuar një automjet të djegur, brenda të cilit janë gjetur 3 armë zjarri automatike të cilat janë përdorur në ngjarjen e ndodhur në rrugën “Don Bosko”.
Nga verifikimi i numrit të shasisë së automjetit rezulton se ky mjet tip BMW, ishte vjedhur më 14 mars, në lagjen nr. 13 Durrës.
Policia e Shtetit në një deklaratë, ftoi qytetarët të japin informacion për autorët e ngjarjes në numrin 069 41 11 546 dhe vendosi një shpërblim prej 20 mijë euro, për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në identifikimin e autorëve.