I vodhën 500 mijë lekë nga makina, kamerat filmojnë autorin

Një qytetar ka denoncuar një vjedhje që, sipas tij, ka ndodhur mesditën e së dielës në zonën e Brrylit, në Tiranë.
Sipas denoncimit, ngjarja ka ndodhur më 19 korrik 2026, rreth orës 13:47, në zonën pas Votrës, pranë Bar Isola. Qytetari tregon se kishte lënë automjetin e tij të parkuar për rreth 10 minuta, ndërsa ishte ngjitur në banesë.
Në pamjet e kamerave të sigurisë, të dërguara në redaksinë e JOQ Albania, shihet një person që afrohet pranë automjetit, hap derën e shoferit dhe futet brenda për pak çaste. Më pas ai largohet duke mbajtur në dorë një send, që sipas denoncuesit dyshohet të jetë një prej objekteve të vjedhura.
Qytetari pretendon se nga automjeti janë marrë 500 mijë lekë dhe një parfum luksi, me vlerë të deklaruar prej 330 paundësh britanikë ose rreth 400 euro.
Sipas tij, autori është filmuar qartë nga kamerat e sigurisë dhe në dispozicion ndodhen pamje që tregojnë fytyrën dhe lëvizjet e tij gjatë momentit të vjedhjes.
Denoncuesi u bën thirrje qytetarëve që, nëse e njohin personin që shfaqet në video, të njoftojnë Policinë e Shtetit ose të kontaktojnë redaksinë e JOQ Albania, në mënyrë që informacioni t'u përcillet autoriteteve kompetente.
Rasti mbetet objekt i verifikimeve nga organet ligjzbatuese, të cilat pritet të zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes./JOQ
Shënim: Ky material nuk është prodhim editorial i "Oranews.tv", por është ripublikuar nga "JOQ" për qëllim informimin e publikut mbi një çështje të pretenduar me interes publik. Përmbajtja e tij, përfshirë çdo pretendim, deklaratë, akuzë dhe opinion i atribuohet "JOQ". "Oranews.tv" mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim, sqarim ose përgënjeshtrim nga personat, apo subjektet e përmendura në material, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

