I shpëtoi atentatit te lokali i tij në Don Bosko, Fatjon Murati i njohur edhe në botën e boksit! Kërkonte titullin...
Të tjera detaje kanë dalë pas ngjarjes së djeshme në zonën e Don Boskos në Tiranë, ku mbeti e vdekur një grua dhe u plagosën 5 persona të tjerë.
Fatjon Murati, që ishte edhe objektivi i atentatit të mbrëmjes së djeshme, ka qenë boksier profesionist.
Ai ka ushtruar aktivitetin e tij në sportin profesionist para 11 viteve dhe është i njohur në botën e sportit.
Sipas burimeve nga mediat e Kosovës, Murati ka garuar për titullin kampion bote në Federatën IBF Junior kundër Francesco Versaçit.
Në atë periudhë ai jetonte në Gjermani dhe në përballjen për titullin kampion, ai nuk regjistronte asnjë humbje.
Karrierën në Boks Murati e kishte nisur në Shqipëri, ku edhe ishte spikatur për talentin e tij dhe në vitin 2008 ai hyri në boksin profesionist në Mynih të Gjermanisë.
Pas Luan Krasniqit dhe Nuri Seferit, Murati ishte boksieri i tretë shqiptar që ndeshej për një titull aq të rëndësishëm në boksin profesionist.
Kujtojmë se Murati është një emër i njohur edhe për drejtësinë Italiane, ku dyshohej si pjesë e një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe vjedhjeve.
Më pas emri i tij u përmend vitin e kaluar, kur u arrestua teksa ishte në një makinë me Endrit Doklen.
Prokuroria vendosi sekuestrimin e 5 pasurive të tij me vlerë 5 milion euro në atë kohë dhe vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për të.
Por Gjykata e Apelit vendosi zbutjen e masës së sigurisë, duke vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Muratin.