Atentati në "Don Bosko", Qyno: Zanafilla në 2007, dyshohet se objektiv ishte xhaxhai i Fatjon Muratit
Sulmi me armë në "Don Bosko" që la pas një viktimë dhe 5 të plagosur është një kalvar ngjarjesh që e ka zanafillën në 2007.
Gazetari i kronikës së zezë, Elton Qyno, i ftuar në "Drejt" thotë se ka dyshime të forta që objektiv i atentatit të ketë qenë xhahxhai i Fatjon Muratit.
Qyno: Është një kalvar dhe zinxhir vrasjesh që ka filluar që në vitin 2007. Gjithçka ka filluar në Laç, ka vijuar në Shëngjin, më pas në Milot. Më pas është shtrirë në Durrës dhe në Tiranë. Bëhet fjalë për luftën mes 2 apo 3 grupeve kriminale që kanë lidhur komplote mes grupeve të tjera të Tiranë dhe Durrësit. Këto luftojnë njëra-tjetrën për të asgjesuar anëtarët apo qoftë dhe drejtuesit e tyre. Dalja e emrit të Fatjon Murati ndodhi me 17 korrik në masakrën e Fushë Krujës. Ai u shpall në kërkim policor. Pas kësaj ngjarje ai nisi ti fshihej daljes publike dhe të merrte masa. Lokali ku ndodhi ngjarja është në pronësi të tij por nuk përdorej si aktivitet tregtar, ishte dhënë me qira te një person tjetër.
Në lokal ka qenë vetëm xhaxhai i Fatjon Muratit, Sahit Murati, vëllai ka ardhur më vonë pasi ka marrë vesh plagosjen e xhaxhait.Kam përshtypjen se Sahit Murati ka qenë target pasi grupi qe rivalizon grupin e Muratit i ka dhënë shenjat me goditjen e trungut të parë. Në pamundësi për të kapur nipin dhe djalin është menduar të goditet Sahit Murati. Nga mënyra si është kryer dhe realizuar deri te djegia e makinës të jepet përshtypja se kemi të bëjmë me një atentat të mirëorganizuar dhe profesionistë por kur shikon vendngjarjen duket se është një dorë amatore që ka një mllef dhe shfryrje dufi për të kryer.