Kokaj: Qytetarët nuk janë në shesh vetëm për Zvërnecin, Shqipëria ka një mal me halle
E ftuar në emisionin "Ora e Betit" në Ora News, protestuesja Luçiana Kokaj deklaroi se revolta popullore nisi spontanisht pas dhunës ndaj një qytetari në Zvërnec, por theksoi se sheshi tashmë ka bashkuar naftëtarë, minatorë e qytetarë të shumtë që protestojnë kundër dështimit të reformës në drejtësi, sistemit shëndetësor dhe keqmenaxhimit të investimeve publike.
" Kishte qenë shumë, shumë spontane e gjithë nisma për të, për t'u bashkuar te drejtoria e policisë.
Mendonim që mund të ishte një protestë si të gjitha ato protestat e tjera që kemi bërë, se kemi bërë protesta dhe para parlamentit e të gjitha, për çështjen e Rrjollit.
Dhe mendonim që mund të ishte diçka e tillë, por që reagimi i qytetarëve ishte komplet tjetër dhe u bashkuan shumë. Dhe besoj që patjetër që ai zotëria që u tërhoq zvarrë në Zvërnec ishte pika e ujit që derdhi gotën, sepse besoj që na ishin akumuluar shumë gjëra të gjithë shqiptarëve së bashku, dhe ajo ishte komplet e papranueshme, që në prezencën e policisë së shtetit, një qytetar të tërhiqet zvarrë.
Dhe patjetër, unë jam shumë e lumtur që rinia shqiptare, qytetarët shqiptarë janë ngritur në këmbë në çdo qytet të Shqipërisë, në çdo qytet të Evropës dhe po protestojnë për diçka që iu takon me të drejtë. Iu takon që shteti të funksionojë për ta. Shteti shqiptar duhet të funksionojë për shtetasit shqiptarë.
Ne nuk e kemi thënë asnjëherë që jemi kundër investimeve, por investimet duhet të plotësojnë disa standarde dhe duhet të respektojnë disa rregulla, dhe duhet të respektojnë pronarët, mjedisin, të gjitha këto. Patjetër që ata qytetarë që vijnë aty sot më nuk janë vetëm për Zvërnecin apo për Rrjollin, por janë për shumë probleme të tjera. Patjetër që neve në qoftë se shkojmë në një spital, hasim një spital që nuk funksionon.
Sistemi arsimor lë shumë për të dëshiruar. Drejtësia, të mos flasim pastaj se është një temë shumë e gjerë, që po prapë nuk po vazhdon të funksionojë pavarësisht reformës në drejtësi që na u pompua shumë dhe na u prezantua si diçka fantastike, mrekullia që shpëtoi Shqipërinë, por po shikojmë që nuk po jep akoma rezultatet e duhura.
Dhe të gjitha këto besoj, dhe shumë e shumë gjëra të tjera, sepse ne aty kemi parë persona që kanë, kanë ardhur naftëtarët, minatorët, ish-pronarët, problematika nga më të ndryshmet. Dhe kur je aty që mundohesh t'i ndihmosh njerëzit për të mbajtur radhën për të folur, ti shikon që Shqipëria ka një mal me halle. Ndaj janë aty në shesh. Sepse qeveria besoj që duhet të jetë një shërbëtor...", u shpreh Kokaj.

