Josel Shtrepi zbulon arsyen e barazimeve të shumta: Skuadrat po luajnë me...
I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit”, analisti sportiv Josel Shtrepi komentoi ecurinë e ndeshjeve të para në fazën e grupeve, duke u ndalur te numri i lartë i barazimeve që janë regjistruar deri tani në turne.
Sipas tij, rezultatet e deritanishme tregojnë se skuadrat po hyjnë në fushë me një qasje të kujdesshme, duke shmangur rreziqet dhe duke menduar për ecurinë e gjithë grupit, jo vetëm për një ndeshje të vetme.
"Në fazën e grupeve jemi duke i parë të gjitha skuadrat se si do të paraqiten, por mendoj se me këto rezultate, pra me gjithë këto barazime që po hasim, skuadrat janë të mirëkalkuluara dhe i bëjnë veprimet shumë të matura në fushë."-tha ai.
Shtrepi vlerësoi se ekipet po tregojnë disiplinë taktike dhe po kujdesen të mos lënë hapësira që mund t’u kushtojnë pikë të rëndësishme.
Për këtë arsye, shumë sfida po zhvillohen me ritëm të kontrolluar dhe me pak rreziqe pranë portave.
Ai shtoi se në këtë fazë të turneut prioritet mbetet grumbullimi i pikëve dhe ruajtja e ekuilibrave, ndërsa futbolli më i hapur dhe më sulmues pritet të shihet në ndeshjet vendimtare të grupeve dhe në fazat me eliminim direkt.


