"Nuk kanë hyrë ende në ritmin e tyre"/ Hallaçi: Ekipet e forta kanë ende kohë të reagojnë dhe të tregojnë vlerat e tyre
I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit”, analisti sportiv Rrahman Hallaçi komentoi ndeshjet e para të turneut, ku disa prej skuadrave favorite nuk kanë arritur të tregojnë nivelin e pritur, ndërsa ekipet më pak të favorizuara kanë marrë vëmendjen me paraqitjet e tyre.
Sipas Hallaçit, kjo situatë nuk është e pazakontë në kompeticionet e mëdha, pasi skuadrat pretendente shpesh e gjejnë ritmin e tyre pas ndeshjeve të para të fazës së grupeve.
"Shikojmë se skuadrat pretendente, skuadrat e forta ndoshta nuk janë në maksimumin e tyre në ndeshjet e para, por kjo ka ndodhur edhe herë pas here dhe më pas në ndeshjet e dyta kanë dalë në lojën e tyre. Shohim disa skuadra që janë të vogla në letër, por që po tregojnë një formë mjaft të mirë në fushën e blertë."-tha Hallaçi.
Gjatë analizës së tij, ai u ndal edhe te rëndësia e rezultateve në ndeshjet hapëse.
Hallaçi u shpreh se një humbje në start nuk e përjashton një skuadër të fortë nga gara, pasi ka ende mundësi për të siguruar kualifikimin në dy përballjet e mbetura.
Ai kujtoi se në turne të tillë, një fitore në ndeshjen e parë mund të ketë peshë të madhe në ecurinë e grupit, pasi tre pikët e para krijojnë një avantazh të rëndësishëm në garën për kualifikim.


