"Ekipet e mëdha ende nuk kanë bindur"/ Demi: Portieri i Arabisë Saudite vodhi vëmendjen e Botërorit

I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit”, Klajv Demi analizoi ecurinë e ndeshjeve të para të turneut, duke u ndalur te vështirësitë që po hasin skuadrat favorite dhe surprizat që po ofrojnë ekipet e tjera.

Sipas tij, një pjesë e madhe e ekipeve të mëdha nuk kanë arritur ende të shfaqin potencialin e plotë në fushë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo lidhet me qasjen e kujdesshme të ndeshjeve të para apo me faktorë të tjerë sportivë.

"Shikojmë se gati 90% e ekipeve të mëdha nuk po paraqiten në nivelin që pritej. Nuk dihet nëse po e marrin më me qetësi këtë fazë apo është thjesht karakteristikë e ndeshjeve të para të turneut."-u shpreh fizioterapisti.

Demi u ndal edhe te sfida mes Arabisë Saudite dhe Uruguajit, të cilën e cilësoi si një nga ndeshjet më interesante të zhvilluara deri tani në kompeticion.

Sipas tij, të dy skuadrat krijuan raste të shumta shënimi, ndërsa protagonist absolut ishte portieri i Arabisë Saudite, i cili mbajti ekipin në lojë me një seri ndërhyrjesh vendimtare.

"Mbrëmë po shikoja Arabinë Saudite me Uruguajin dhe për mua ishte një nga ndeshjet më të bukura të këtij Botërori. Portieri i Arabisë Saudite bëri mbi nëntë pritje dhe ndali raste që dukeshin gola të sigurt."-shtoi ai.

Në fund të analizës, Demi u ndal te ndeshja e ardhshme e Argjentinës, duke shprehur pritshmërinë që një prej favoritëve kryesorë të turneut të japë një sinjal më të fortë dhe të tregojë nivelin që tifozët presin nga skuadrat e mëdha.

 

EMISIONET