"Fola vetëm pasi u largova nga Shqipëria"/ Zagani rrëfen pse u detyrua të largohej nga vendi: Ndryshe do të isha një kujtim i harruar

I lidhur drejtpërdrejt në emisionin “Ora e Betit”, ish-oficeri i Policisë së Shtetit, Dritan Zagani, foli për periudhën kur shërbente në polici, arsyet që e shtynë të largohej nga Shqipëria dhe mënyrën se si vendosi të bëjë publike denoncimet e tij.

Zagani tha se brenda strukturave të policisë kishte shumë punonjës që ishin në dijeni të ngjarjeve dhe personave të përfshirë, por sipas tij, në shumë raste ishte e vështirë të veprohej për shkak të presioneve dhe ndikimeve të ndryshme.

"Profesionalisht kishte shumë kolegë dhe punonjës që e dinin se si funksiononin gjërat, i dinin personazhet dhe procedurat që ishin ndjekur. Unë fola pasi nuk gjeta asnjë hapësirë apo mundësi për të zbatuar ligjin nëpërmjet detyrës dhe pasi u largova nga vendi."-tha ai.

Gjatë bisedës, ai tregoi se vendimi për të folur publikisht erdhi vetëm pasi kishte lënë Shqipërinë, pasi sipas tij, në të kundërt do ta kishte pasur të pamundur të vazhdonte betejën që kishte nisur.

"Po të flisja kur isha atje, e dini edhe vetë se do të isha thjesht një kujtim i harruar. Këto gjëra po i them sot sepse atëherë nuk kishte hapësirë për të vepruar ndryshe."-u shpreh Zagani.

I pyetur për operacionin e fundit të SPAK-ut, që çoi në lëshimin e disa urdhër-arresteve dhe sekuestrimin e pasurive të dyshuara si të pajustifikuara, Zagani u shpreh se rezultate të tilla i japin një ndjesi pozitive nga ana profesionale.

Ai tha se kur sheh operacione dhe rezultate konkrete kundër krimit, ndjen krenari për profesionin që ka ushtruar për vite me radhë.

EMISIONET