Krimet e bandës së Laert Haxhiut, Prokuroria e Elbasanit njofton moskompetencën dhe kalimin e dosjes tek SPAK
Prokuroria e Elbasanit shpall moskompetencën për grupin e Leart Haxhiut duke ia dërguar Prokurorisë së Posaçme për hetim. Kjo pasi nga hetimet e deritanishme krijojnë rrethana të arsyeshme për tu klasifikuar si grup i strukturuar kriminal.
Laert Haxhiu dhe banda e tij akuzohen për disa ngjarje kriminale, mes të cilave 6 vrasje, 2 prej tyre në kryeqytetin grek Athinë.
Ka qenë dëshmia e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani që hodhi dritë mbi disa nga vrasjet e kryera nga grupi i Haxhiut.
Ky i fundit është arrestuar në Janinë teksa është në proces për ekstradimin drejt vendit tonë.
NJOFTIMI I PROKURORISË SË ELBASANIT
Prokuroria e Elbasanit shpall moskompetencë për “grupin e strukturuar kriminal” përgjegjës për disa ngjarje të rënda – dosja i kalon SPAK
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, mbi bazën e materialit hetimor të ardhur nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, ka regjistruar procedimin penal nr.1599, të vitit 2021, që bën fjalë për veprat penale të parashikuara nga nenet 78 e 25, dhe 278 të Kodit Penal.
Si rezultat i hetimit në kuadër të këtij procedimi, ka dyshime të arsyeshme se personat nën hetim, janë autorë të vrasjes së shtetasit A. S., ngjarje e ndodhur në datë 17.10.2021 në Peqin.
Gjithashtu, nga hetimet e kryera me metoda speciale të hetimit, dyshohet se keta shtetas në bashkëpunim me shtetas të tjerë janë autorë të disa ngjarjeve të rënda kriminale (vrasje, shkatërrim prone me eksploziv, vjedhje me dhunë, sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje, etj.) të ndodhura në periudhën kohore 2021-2023 në disa qytete të ndryshme te vendit si Elbasan, Tiranë, Lushnje, Tepelenë, Korçë dhe Durrës, për të cilat ka procedime të regjistruara nga prokuroritë përkatëse të juriksionit të përgjithshëm, procedime që kanë kaluar për kompetence lëndore Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juriksionit të Pergjithshëm Elbasan dhe janë bashkuar në një procedim të vetëm me Nr.1559 të vitit 2021 për veprat penale të parashikuara nga nenet 78 e 25, 78/a e 25, 78 e 22 e 25, 152 e 25, 80 e 25, 139 e 25 dhe 278 të Kodit Penal.
Duke vlerësuar se në rastin konkret janë konsumuar elementet e veprës penale të parashikuar nga neni 333/a i K.Penal “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 të Kodit Penal, kemi çmuar të ri-vlerësohet çështja e kompetencës lëndore për këtë procedim penal.
Më datë 18.10.2023 është vendosur deklarimi i moskompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.1559 të vitit 2021 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.
Kalimin e akteve për hetime të mëtejshme prokurorisë kompetente dhe konkretisht Prokurorisë së Posaçme Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) Tiranë.
Akuzat për anëtarët e bandës së Laert Haxhiut
1-Artan (Marjus) Tafani akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (3 herë, në dëm të viktimave Çajup Selimi, Fridman Xhaferaj dhe Alban Semaku), “Vrasja për gjakmarrje” e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Albi Bashaliu), “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Kujtim Meta), “Shkatërrim i pronës me eksploziv” e kryer në bashkëpunim (4 herë, me të dëmtuar shtetasit Erion Çoku, Bashkim Rajku, dhe Bujar Turku [2 herë] ), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” e kryer në bashkëpunim (3 herë, ndaj shtetasve Adriatik Guri (Doga), Rexhep Gina dhe Genci Hida), “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim (2 herë, me të dëmtuar shtetasit Gëzim Çepele dhe Marjus Zejneli)
2-Lulzim Spahija (Arapi), akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (3 herë, në dëm të viktimave Çajup Selimi, Fridman Xhaferaj dhe Alban Semaku), “Vrasja për gjakmarrje” e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Albi Bashaliu), “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Kujtim Meta), “Shkatërrim i pronës me eksploziv” e kryer në bashkëpunim (3 herë, me të dëmtuar shtetasit Erion Çoku, Bashkim Rajku dhe Arjan Aliço), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” e kryer në bashkëpunim (ndaj shtetasit Adriatik Guri (Doga), “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim (me të dëmtuar shtetasin Gëzim Çepele).
3-Ligor Romacka, i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (2 herë, në dëm të viktimave Çajup Selimi dhe Fridman Xhaferaj) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
4-Erisiano Abedini i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (në dëm të viktimës Çajup Selimi), “Shkatërrim i pronës me eksploziv” e kryer në bashkëpunim (3 herë, me të dëmtuar shtetasit Bashkim Rajku dhe Bujar Turku).
5-Bledar Berberi i akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (në dëm të viktimës Frdiman Xhaferaj).
6-Maringlen Topuzi i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (në dëm të viktimës Frdiman Xhaferaj), “Vrasja për gjakmarrje” e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Albi Bashaliu)
7-Idriz Manej, i akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (në dëm të viktimës Fridman Xhaferaj), të parashikuar nga neni 78 e 25 të Kodit Penal.
8-Fatjon Veliu, i akuzuar për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” e kryer në bashkëpunim (ndaj shtetasit Rexhep Gina).
9-Bujar Abedini, i akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (në dëm të viktimës Çajup Selimi).
10-Enriko Xhahysa, i akuzuar për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje” e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Albi Bashaliu)
11-Klea Gjata e akuzuar për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.