Vangjush Dako kërkon lirinë, bën rekurs në Gjykatën e Lartë vendimin e Apelit të GJKKO-së
Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i arrestuar për “shpërdorim detyre” në dy raste, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë duke kundërshtuar vendimin e Apelit të Posaçëm që la të pandryshuar masën e sigurisë arrest në burg, me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Rekursi është regjistruar teksa shorti ka caktuar si gjyqtar relator Ilir Pandën dhe pritet nga ky i fundit caktimi i datës për shqyrtimin e kërkesës.
Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit kishte kërkuar lirinë në Apelin e GJKKO, por kërkesa u refuzua më 18 korrik. Pasi u la në burg pa afat nga shkalla e parë e GJKKO, ish kryetari i Bashkisë së Durrësit është dërguar në paraburgimin e këtij qyteti ku ndodhen edhe ish-ministri i mjedisit Lefter Koka.
Vangjush Dako, ish kryebashkiaku i Durrësit u arrestua më 6 qershor me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste.
Rasti i parë ka të bëjë me dhënien e një leje ndërtimi në 2011 për një pallat, në lagjen nr 5, në qendër të Durrësit që u dëmtua nga tërmeti i 2019-ës.
Pasi verifikime dyshohet se pallati kishte 4 kate pa leje dhe legalizimi i godinës është kryer në shkelje të ligjit.
Rasti i dytë ka të bëje me një kallëzim për tenderin e shëtitores që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit dëmi llogaritej në 18 milionë lekë.