EMRI/ U prangos për sulmin e Komisariatit nr.3, lirohet protestuesi 33-vjeçar
Gjykata e Tiranës zbuti masën e sigurisë për të arrestuarin e vetëm si një nga autorët e dyshuar të sulmit ndaj Komisariatit nr. 3 pas protestës së 4 korrikut, duke vendosur hetimin e tij në gjendje të lirë. Hetimet vijojnë edhe për 11 persona të tjerë, 4 nga të cilët mbeten në arrati.
Erald Heqimaj, 33 vjeç, nga Fieri dhe banues në Tiranë, i arrestuar si një nga autorët e dyshuar të sulmit ndaj Komisariatit nr. 3 të Policisë pas protestës së 4 korrikut, është nxjerrë nga paraburgimi dhe do të hetohet në gjendje të lirë.
Gjykata e Tiranës vendosi zbutjen e masës së sigurisë, duke pranuar kërkesën e Prokurorisë së Tiranës, e cila po heton incidentet e ndodhura pranë Komisariatit nr. 3.
Sipas Policisë, Heqimaj, së bashku me persona të tjerë të shpallur në kërkim, goditi dyert dhe dritaret e komisariatit, pranë ambienteve të pritjes së qytetarëve
33-vjeçari nuk rezulton me precedentë penalë. Në dëshminë e tij ai ka deklaruar se reagoi i ndikuar nga atmosfera e protestës dhe fryma e turmës, e cila kishte në fokus kërkesën për lirimin e 19 të arrestuarve pas përplasjeve pranë Parlamentit.
Për këtë ngjarje, policia ka identifikuar edhe 11 persona të tjerë, shtatë prej të cilëve hetohen në gjendje të lirë, ndërsa katër janë shpallur në kërkim.

